Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë Saeed Izadi, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), që vepronte në kuadër të forcave elitare Quds.
Sipas njoftimit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Izadi është vrarë në një sulm ajror të kryer në zemër të Iranit, pas një “operacioni të gjatë mbledhjeje të të dhënave të inteligjencës”.
Në deklaratën zyrtare thuhet: “Izadi ishte përgjegjës për bashkëpunimin ushtarak ndërmjet komandantëve të lartë të IRGC-së dhe regjimit iranian me figura kyçe të organizatës terroriste Hamas.”
Sipas autoriteteve britanike, Izadi ishte drejtues i degës palestineze të forcave Quds, dhe për këtë arsye ndodhej në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane raportuan të shtunën se në një sulm ndaj një ndërtese banimi në qytetin Qom, janë vrarë dy persona dhe katër të tjerë janë plagosur. Sipas raportit, një nga viktimat ishte një i mitur 16-vjeçar.
Ndërkohë, autoritetet zyrtare iraniane nuk kanë konfirmuar ende vrasjen e Saeed Izadit. Lajmi është raportuar edhe nga CNN, por konfirmimi nga ana iraniane mbetet i munguar për momentin.