Izraeli paguan çmim të lartë për përplasjen 12-ditore me Iranin: Humbje prej 10 miliardë dollarësh

Përplasja 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 10 miliardë dollarësh, që përfshin nga shpenzimet ushtarake, dëmtimet në infrastrukturë, deri te kolapsi i sektorit të turizmit. Deficiti buxhetor ka tejkaluar 6% të BPV-së dhe ulja e vlerësimit kreditor ka shtyrë rikuperimin ekonomik për në gjysmën e dytë të vitit 2025.

Më 13 qershor, Izraeli nisi një operacion për të ndalur programin bërthamor të Iranit, ndërsa si kundërpërgjigje u përball me një breshëri sulmesh raketore.

Kostoja e luftës

Gjatë 12 ditëve, Irani goditi shumë zona të Izraelit me sulme ajrore që shkaktuan dëme serioze në infrastrukturë. Humbjet në sektorët e mbrojtjes, fuqisë punëtore dhe turizmit u përllogariten në rreth 10 miliardë dollarë.

Sipas Ministrisë së Financave, deficiti buxhetor pritet të arrijë të paktën 6% të BPV-së, duke tejkaluar nivelin e mëparshëm prej 4,9%. JPMorgan parashikon një deficit prej 6,2%.

Kostoja e mbrojtjes dhe dëmeve

Nga 547 raketat balistike të lëshuara nga Irani, 90% u neutralizuan nga mbrojtja ajrore izraelite, por 31 raketa arritën objektivin, duke shkaktuar 29 të vdekur dhe mbi 3.000 të plagosur.

Çdo raketë e sistemit Arrow 3 kushton 4 milionë dollarë, ndërsa Arrow 2 rreth 3 milionë. Kundërsulmet ditore të Izraelit ndaj Iranit kushtuan rreth 735 milionë dollarë në ditë. Rreth 200 avionë realizuan 1.500 fluturime me një kosto totale prej 1,2 miliardë dollarësh.

Dëme në infrastrukturë dhe prona private

Objekte strategjike si Instituti Weizmann dhe rafineria Bazam pësuan dëme serioze. Humbjet në infrastrukturë arrijnë në 1,5 miliardë dollarë, ndërsa janë paraqitur mbi 40 mijë kërkesa për kompensim për dëme në prona private.

Amir Dahan nga Administrata Tatimore deklaroi se shkalla e dëmit është “e paprecedentë” dhe numrat do të rriten. Rezervat e shtetit për situata emergjente janë shteruar.

Turizmi dhe rreziku për bizneset

Turizmi ka marrë goditjen më të rëndë – lidhjet ajrore janë pezulluar, vendi është izoluar, dhe 60 mijë biznese përballen me rrezik mbylljeje. Hotelet po strehonin qytetarë të evakuuar, me kosto që do të mbulohet nga shteti.

Trafiku tregtar në portin e Haifës ra me 16% në gjysmën e parë të vitit.

Kostoja totale në 20 muaj: 80 miliardë dollarë

Analistët parashikojnë se konfliktet e fundit 20 muajve mund t’i kenë kushtuar Izraelit mbi 80 miliardë dollarë, duke përfshirë shpenzimet ushtarake, kompensimet civile dhe humbjet në prodhim.

Banka Qendrore e Izraelit e ka mbajtur normën e interesit në 4,5%, për shkak të inflacionit dhe dobësimit të monedhës (shekelit), duke shtyrë rimëkëmbjen për në fund të vitit 2025.

Rënia e vlerësimeve ndërkombëtare

Agjencia Fitch uli vlerësimin e kredisë së Izraelit nga A+ në A, ndërsa FMN uli parashikimin e rritjes ekonomike nga 3,4% në 1–1,9%.

Sipas të dhënave të OECD-së, Izraeli ka pësuar rënien më të madhe ekonomike ndër vendet anëtare. Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare pranë Universitetit të Tel Avivit paralajmëron se qeveria do të përballet me vendime të vështira për alokimin e burimeve, çka mund të çojë në shkurtim të shpenzimeve publike.

Kategoritë
BotaLajme