Qeveria izraelite ka miratuar zgjatjen e përkohshme të armëpushimit në Gaza për gjashtë javët e ardhshme, duke mbuluar periudhën e Ramazanit mysliman dhe Pashkës hebraike.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e bëri këtë njoftim pak pas skadimit të fazës së parë të armëpushimit të mëparshëm, e cila përfundoi të shtunën në mesnatë.
Sipas njoftimit të zyrës së Netanyahu-t, në bazë të propozimit të të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, gjysma e pengjeve që Hamas ende mban në Gaza, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, do të lirohen ditën e parë.
Pengjet e mbetura do të liroheshin vetëm nëse arrihet një marrëveshje për një armëpushim të përhershëm.
Hamas nuk ka komentuar publikisht këtë zhvillim të fundit nga Izraeli.
Qeveria izraelite miratoi zgjatjen e armëpushimit pas një takimi katër-orësh, i cili u thirr nga Netanyahu.
Zyra e kryeministrit pretendoi se Hamas deri tani ka refuzuar të mbështesë planin e Witkoff, duke shtuar se Izraeli do të fillojë menjëherë negociatat nëse grupi ndryshon qëndrim.
Sipas planit të të dërguarit amerikan, Izraeli do të mund të rifillonte luftimet pas 42 ditësh, nëse vlerëson se negociatat për fazën e dytë kanë dështuar.
Të premten mbrëma, Hamas deklaroi se nuk do të pranonte zgjatjen e fazës së parë të armëpushimit pa garanci nga ndërmjetësit amerikanë, katariot dhe egjiptianë se faza e dytë do të realizohej.
Duket se Hamas është i vendosur të mbetet një forcë në Gaza, edhe nëse është i gatshëm t’ia dorëzojë administrimin e përditshëm aktorëve të tjerë palestinezë, përfshirë Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor, i cili ndodhet nën pushtimin izraelit, raporton nga Jerusalemi gazetari i BBC, Paul Adams.
Të shtunën përfundoi faza e parë e armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 19 janar. Kjo ndali 15 muaj luftimesh mes Hamasit dhe ushtrisë izraelite, duke mundësuar lirimin e 33 pengjeve izraelite dhe pesë tajlandezëve, në këmbim të rreth 1.900 të burgosurve palestinezë.
Negociatat për fazën e dytë, e cila përfshin lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur të gjallë dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, sapo kanë filluar. Besohet se 24 pengje janë ende gjallë, ndërsa për 39 të tjerë mendohet se kanë vdekur.