Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit deklaroi sot se deklarata nga samiti arab i mbajtur në Kajro, ku u diskutua për rindërtimin e Gazës, “nuk i përgjigjet realitetit” që nga 7 tetori 2023.
Sipas tyre, pavarësisht “krimeve të dokumentuara”, sulmi i Hamasit nuk përmendet dhe liderët arabë “nuk e dënuan as këtë akt”.
Në deklaratën izraelite lavdërohet plani i presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e banorëve të Gazës, duke pretenduar se me të “banorët e Gazës kanë mundësinë të zgjedhin lirshëm”.
Ata theksojnë se kjo duhet të inkurajohet.
Në deklaratë u bëhet thirrje shteteve rajonale përgjegjëse që të “çlirohen nga kufizimet e së kaluarës dhe të bashkëpunojnë për krijimin e një të ardhmeje me stabilitet dhe siguri në rajon”.
Kujtojmë se liderët arabë në samitin e sotëm miratuan planin egjiptian për rindërtimin e Gazës, i cili do të kushtonte 53 miliardë dollarë dhe do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve, ndryshe nga vizioni i “Rivierës së Lindjes së Mesme” i presidentit amerikan Donald Trump.