Izraeli: Goditëm mbi 1.100 objektiva në Iran që nga 13 qershori

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin deklaroi se ata kanë “goditur më shumë se 1.100 objektiva në Iran në qindra bombardime ajrore” që nga 13 qershori

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin deklaroi se ata kanë “goditur më shumë se 1.100 objektiva në Iran në qindra bombardime ajrore” që nga 13 qershori, transmeton Anadolu.

Defrin tha se ata vazhdojnë sulmet e tyre ajrore ndaj Iranit ndërsa pretendoi se po “punojnë sistematikisht për të neutralizuar kërcënimin bërthamor”.

Ai pretendon se me sulmet ata “kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sistemet e raketave balistike dhe mbrojtjes ajrore të Iranit”.

“Ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore ndaj Iranit që nga 13 qershori”, theksoi Defrin i cili shtoi se ata “kanë goditur më shumë se 1.100 objektiva” në Iran në këto sulme.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite bëri të ditur se ata gjithashtu kanë shënjestruar 5 helikopterë të ushtrisë iraniane që po përpiqeshin të rrëzonin dronët izraelitë.

Defrin shtoi se Irani ka qëlluar rreth 30 raketa balistike drejt Izraelit gjatë natës në shenjë kundërpërgjigjeje, se shumica e këtyre raketave janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe se nuk ka patur viktima.

– Konflikti që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit

Më 13 qershor, Izraeli kreu sulme në shkallë të gjerë duke shënjestruar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran, përfshirë edhe nivelin e lartë komandues të ushtrisë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm iranian, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë humbën jetën në sulme ndërsa numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë u rrit në 224.

Më tej u transmetua se 24 persona u vranë dhe mbi 500 të tjerë u plagosën në kundërsulmet e ushtrisë iraniane me raketa balistike ndaj Izraelit.

Shumë vende veçanërisht Turqia, e dënuan Izraelin.

Kategoritë
BotaLajme