Izraeli “e tërhoqi frenin e dorës”: Ishte gabim të publikohej se kemi sulmuar centralin bërthamor në Bushehr

Një zyrtar ushtarak izraelit deklaroi të enjten se “ishte një gabim” kur zëdhënësi ushtarak më herët atë ditë kishte thënë se Izraeli kishte sulmuar objektin bërthamor në Bushehr, në Iran, raporton agjencia Reuters.

Zyrtari konfirmoi vetëm se Izraeli kishte goditur objektet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Arak në Iran.

I pyetur sërish për Bushehrin, zyrtari tha se nuk mund të konfirmojë as të mohojë nëse Izraeli ka kryer ndonjë sulm ndaj kësaj lokacije, ku ndodhet reaktori bërthamor iranian.

Një sulm ndaj Bushehrit, i cili ndodhet pranë fqinjëve arabë të Gjirit dhe ku punojnë edhe ekspertë rusë, do të përfaqësonte një përshkallëzim të madh të konfliktit.

Kujtojmë se pozicioni zyrtar i Izraelit është se synon “vetëm objektet bërthamore dhe ushtarake”, megjithatë në operacionet e tyre janë vrarë mbi 230 civilë iranianë.

Nga ana tjetër, në kundërpërgjigjet iraniane ndaj sulmeve izraelite, kanë humbur jetën 13 qytetarë izraelitë.

Vlen të përmendet se në ditët në vijim pritet edhe vendimi përfundimtar i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, nëse Amerika do të përfshihet në sulmet kundër Iranit.

Kategoritë
BotaLajme