“Në çdo marrëveshje paqeje, Golani do të mbetet pjesë e shtetit të Izraelit”, tha kryediplomati izraelit, Gideon Saar
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, tha se administrata e Tel Avivit dëshiron të normalizojë marrëdhëniet me Sirinë dhe Libanin, me kusht që pushtimi izraelit në Lartësirat e Golanit të vazhdojë, transmeton Anadolu.
Ministri Saar në një konferencë për media të mbajtur në Kudsin Perëndimor me Ministren e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, foli lidhur me armëpushimin në Rripin e Gazës dhe përpjekjet e Tel Avivit për të zgjeruar Marrëveshjet e Abrahamit.
Izraeli dëshiron të zgjerojë Marrëveshjet e Abrahamit, tha Saar duke shtuar: “Ne duam të përfshijmë vendet fqinje si Siria dhe Libani në rrethin e paqes dhe normalizimit, duke mbrojtur interesat themelore dhe të sigurisë së Izraelit”.
Saar pohoi se Lartësirat e Golanit, të cilat ata i kanë pushtuar që nga viti 1967 dhe janë territor sirian sipas ligjit ndërkombëtar, kanë qenë nën sovranitetin izraelit për 40 vjet. “Në çdo marrëveshje paqeje, Golani do të mbetet pjesë e shtetit të Izraelit”, tha ai.
– Izraeli dëshiron një armëpushim të përkohshëm, jo të përhershëm në Gaza
Kryediplomati izraelit vuri në dukje se Izraeli mund të japë pëlqimin për një armëpushim të përkohshëm dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve në Rripin e Gazës, dhe se në këtë drejtim, ata i kanë thënë “po” propozimit për armëpushim të Steve Witkoff, përfaqësuesit Special për Lindjen e Mesme i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Nëse arrihet një armëpushim i përkohshëm sipas propozimit të Witkoff, trajtimi i situatës humanitare do të jetë më e lehtë”, pretendoi Saar.
– Pretendimi i Saar se sulmet ndaj Iranit kanë kontribuuar në sigurinë e Evropës
Saar përmendi gjithashtu sulmet e kryera nga Izraeli ndaj Iranit për 12 ditë që përfunduan me një armëpushim më 24 qershor, duke pretenduar se këto sulme kanë dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë dhe të rëndësishëm në sigurinë e Evropës.
Pasi pretendoi se i kanë shkaktuar dëme serioze raketave balistike iraniane, Saar pretendoi se këto raketa kanë një rreze veprimi që mund të arrijnë Evropën.