Ushtria izraelite gjatë muajve të fundit po ndërton një barrierë tokësore më shumë se 23 kilometra të gjatë brenda Rripit të Gazës, duke e ndarë edhe më tej zonën që kontrollon nga pjesa tjetër e territorit.
Sipas imazheve satelitore, argjinatura kalon përmes komuniteteve palestineze që ushtria i kishte rrafshuar më herët. Bëhet fjalë për një gjatësi më të madhe se gjysma e Gazës, territor bregdetar rreth 40 kilometra i gjatë dhe 11 kilometra i gjerë, ku jetojnë më shumë se dy milionë palestinezë.
Ushtria izraelite i ka konfirmuar Associated Press se ka ndërtuar një pengesë fizike përgjatë të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, kufiri deri ku forcat izraelite u tërhoqën sipas marrëveshjes së armëpushimit të tetorit. Kjo vijë, në marrëveshjen e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ishte parashikuar si një ndarje e përkohshme deri në një tërheqje më të plotë të Izraelit.
Meqenëse armëpushimi prej muajsh nuk po shënon përparim, mes palestinezëve po rritet frika se vija e përkohshme po shndërrohet në një kufi të përhershëm. Komanda Qendrore e SHBA-së, e ngarkuar me monitorimin e armëpushimit, si dhe Bordi i Paqes, organi që pritet të mbikëqyrë Gazën, nuk e kanë komentuar ndërtimin e barrierës.
Ushtria ka bërë të ditur se përgjatë argjinaturës ka krijuar edhe një “zonë sigurie”, të pajisur me mjete të inteligjencës dhe teknologjisë. Ajo pretendon se qëllimi është parandalimi i infiltrimeve dhe mbrojtja e ushtarëve izraelitë dhe komuniteteve pranë Gazës, por nuk ka dhënë hollësi për trasenë përfundimtare apo për distancën deri ku do të zgjatet barriera.
Në jug të Gazës, një pjesë e rrjetit të argjinaturave është zgjatur për më shumë se dy kilometra vetëm brenda dy javëve të këtij muaji. Nëse punimet vazhdojnë në drejtimin aktual, kjo pjesë mund të lidhet me një segment pothuajse të pandërprerë prej rreth 17 kilometrash, i cili shtrihet nga Khan Yunisi drejt zonës pranë qytetit të Gazës.
Në anën tjetër të vijës së verdhë, imazhet satelitore tregojnë se forcat izraelite, me buldozerë dhe eksplozivë, kanë rrafshuar shumicën e ndërtesave, duke zhdukur pothuajse tërësisht disa qytete, përfshirë Rafahun. Ushtria izraelite pretendon se po shkatërron infrastrukturën që përdoret nga Hamasi.
Që nga fillimi i armëpushimit, forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 1.100 palestinezë, kryesisht në sulme ajrore dhe me dronë në gjithë Gazën.













