Italianët në referendum për lehtësimin e kushteve për marrjen e shtetësisë: pjesëmarrja në votim në pikëpyetje

Qytetarët italianë do të dalin të dielën në një referendum dyditor për të votuar mbi lehtësimin e ligjit për marrjen e shtetësisë dhe liberalizimin e tregut të punës. Megjithatë, ekziston frika se pjesëmarrja do të jetë nën pragun e nevojshëm prej 50% + 1 votues, gjë që do ta bënte rezultatin jo detyrues.

Sipas Reuters, partitë opozitare të qendrës dhe të majtës, organizatat e shoqërisë civile dhe një nga sindikatat më të mëdha në vend – CGIL – po e përdorin këtë referendum për të sfiduar politikën e qeverisë së djathtë të kryeministres Giorgia Meloni.

Sindikalistët e CGIL thanë se janë mbledhur mbi 4.5 milionë nënshkrime, shumë më tepër se minimumi ligjor për thirrjen e një referendumi. Votuesit do të deklarohen për pesë çështje: katër mbi tregun e punës dhe një për shtetësinë.

Kundërshtimi i qeverisë dhe sfida e pjesëmarrjes

Sondazhet tregojnë se pjesëmarrja do të jetë ndërmjet 31 dhe 39%, shumë më pak se pragu prej 50%. Kryeministrja Meloni dhe disa nga ministrat kryesorë kanë njoftuar se nuk do të votojnë.

“Meloni ka frikë nga dalja në votime dhe e di që shumë italianë, madje edhe disa që e votuan më parë, do të marrin pjesë,” tha Elly Schlein, lidere e Partisë Demokratike (PD).

Sipas analistit Lorenzo Pregliasco nga agjencia YouTrend,

“Do të jetë e vështirë të kapërcehet pragu. Qëllimi minimal i opozitës është të tregojë forcë dhe të mobilizojë më shumë votues sesa të djathtët në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022, kur morën 12.3 milionë vota.”

Qendra e vëmendjes: shtetësia për migrantët

Çështja që ka tërhequr më shumë vëmendje publike është ajo për lehtësimin e shtetësisë, në një vend ku çështjet e migracionit kanë ndikuar fuqishëm në ardhjen në pushtet të Melonit në fund të vitit 2022.

Në fletën e votimit, qytetarët do të deklarohen nëse e mbështesin uljen e periudhës së qëndrimit nga 10 në 5 vjet për marrjen e shtetësisë. Kjo masë, sipas organizatorëve, mund të ndikojë mbi 2.5 milionë shtetas të huaj.

“Pesë vjet është një fitore e madhe për ne migrantët krahasuar me dhjetë,” tha Mohammed Kamara, 27 vjeç nga Sierra Leone, që punon në ndërtim në Romë.

Ekonomia kundër ideologjisë?

Ekonomistët theksojnë se, për shkak të rënies së lindshmërisë, Italia ka nevojë për më shumë punëtorë të huaj për të mbajtur gjallë ekonominë. Por për Melonin, rregullat e ashpra për shtetësinë janë çështje identiteti kombëtar, tha analisti Francesco Galietti nga firma Policy Sonar.

“Nga njëra anë kemi retorikën për identitetin kulturor, nga ana tjetër kemi krizën e pensioneve dhe një ekonomi që varet nga fuqia punëtore,” vlerëson ai.

Çështjet e tjera: mbrojtja e punëtorëve

Katër çështjet e tjera në referendum lidhen me:

  • vështirësimin e procedurave për pushimin nga puna,
  • rritjen e kompensimit për punëtorët e shkarkuar në ndërmarrjet e vogla,
    duke synuar zhbërjen e reformave të punës të miratuara nga qeveria e qendrës së majtë një dekadë më parë.

Bojkoti nga qeveria

Liderët e dy partive të koalicionit – Antonio Tajani (Forza Italia) dhe Matteo Salvini (Lega) – kanë njoftuar se nuk do të dalin në votime. Meloni do të shkojë në qendrën e votimit, por nuk do të votojë, për të mos ndikuar në arritjen e kuorumit.

“Ajo do ta përmbushë detyrën institucionale, por do të shmangë kontributin në kvorum,” tha Pregliasco.

Rezultati i referendumit do të varet jo nga shumica e votave, por nga pjesëmarrja. Nëse nuk kapërcehet 50% + 1, asnjë nga propozimet nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm – por fushata mund të shërbejë si sinjal i fortë politik për të ardhmen e qeverisë italiane.

Kategoritë
BotaLajme