Itali, e majta opozitare kërkon nga qeveria të njohë Palestinën dhe të mbështesë gjykatën e OKB-së kundër Izraelit

“Ne e gjejmë veten përballë një situate që ne e përcaktojmë qartë si krime kundër njerëzimit. Kjo nuk do të thotë se ne jemi antisemitik, vlera e jetës njerëzore është para çdo gjëje. Sanksionimi i përgjegjësve është një veprim i domosdoshëm”, tha ai

Të Gjelbrit e Italisë dhe Aleanca e Majtë (AVS) e Italisë kanë kërkuar nga qeveria italiane të njohë Palestinën si shtet dhe të mbështesë Gjykatën Penale Ndërkombëtare që të mbajë përgjegjës kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për “krime kundër njerëzimit” në Gaza, transmeton Anadolu.

Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve ANSA, ligjvënësi i partisë AVS, Angelo Bonelli, tha se më 7 tetor partia e tij e dënoi Hamasin, por ajo që ndodhi më pas është “diçka e papranueshme”.

Ai theksoi se Netanyahu kreu krime kundër njerëzimit dhe se ai ndaloi hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, duke theksuar më tej se “e pamë me sytë tanë”.

“Ne e gjejmë veten përballë një situate që ne e përcaktojmë qartë si krime kundër njerëzimit. Kjo nuk do të thotë se ne jemi antisemitik, vlera e jetës njerëzore është para çdo gjëje. Sanksionimi i përgjegjësve është një veprim i domosdoshëm”, tha ai.

Duke zbuluar se ata mblodhën 150 mijë nënshkrime duke kërkuar që qeveria të mbështesë gjykatën e OKB-së, Bonelli theksoi se ata gjithashtu kërkojnë nga qeveria që të njohë zyrtarisht Palestinën si shtet.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Të paktën 36.400 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, si dhe mbi 82.600 të tjerë janë plagosur.

Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kërkuan strehim nga lufta para fillimit të pushtimit të qytetit më 6 maj.

Kategoritë
BotaLajme