Ambasada e Iranit në Indi ka publikuar në platformën X një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ku disa burra shihen duke e bartur presidentin amerikan Donald Trump dhe duke e hedhur në një kontejner me mbishkrimin “Mbeturina të rrezikshme”. Publikimi erdhi pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet për Kongresin amerikan.
Ambasada e shoqëroi videon me përshkrimin e shkurtër “Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA”, duke shtuar edhe një emoji me fytyrë të qeshur.
Deri më tani, videoja është shikuar më shumë se 1.4 milion herë.
Demokratët fituan shumicën si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mbajtura të martën, ndërsa agjencia AP shpalli fitoren e tyre në të dyja dhomat e Kongresit.
Misionet diplomatike iraniane kanë vazhduar ta ironizojnë Trumpin në rrjetet sociale që nga fundi i shkurtit, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.
Sipas gazetës indiane The Statesman, Ambasada e Iranit në Indi kishte publikuar më herët, pas shpalljes së armëpushimit, edhe një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku Trump paraqitej i gjunjëzuar përpara një statuje kalorësi që mbante flamurin iranian.
