Abdul El-Sayed shpall fitoren, bëhet myslimani i parë në Senatin amerikan

Abdul El-Sayed shpall fitoren, bëhet myslimani i parë në Senatin amerikan

Demokrati Abdul El-Sayed ka shpallur fitoren në garën për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit. Me këtë fitore, mjeku 41-vjeçar bëhet myslimani i parë që zgjidhet në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

El-Sayed iu drejtua mbështetësve të tij në shtabin zgjedhor në Detroit rreth orës 01:30 sipas kohës lokale, përkatësisht në orën 07:30 sipas kohës sonë, raportojnë Detroit News dhe WOOD TV.

“Michigan, ia dolëm! Jam krenar dhe i nderuar që qëndroj këtu para jush si senatori juaj i zgjedhur nga shteti i madh i Michiganit”, deklaroi El-Sayed.

Gjatë fjalimit të tij, ai u shpreh gjithashtu: “Mund të kalojmë nga inshallah në elhamdulilah”.

Sipas Ynet, El-Sayed gjatë fjalimit ironizoi edhe lobin pro-izraelit AIPAC, i cili kishte kundërshtuar kandidaturën e tij.

“Ju falënderoj që më dhatë mundësinë t’ju mposht dy herë”, tha ai.

Ai falënderoi gjithashtu mbështetësit e tij për besimin që i kishin dhënë.

“I dhatë një mundësi kandidatit që kishte më pak gjasa të fitonte, prandaj ju falënderoj. Kjo fitore është e gjitha juaja”, deklaroi El-Sayed, sipas CBS News.

“Ti zgjodhe urrejtjen, ndërsa Michigani zgjodhi shpresën”

El-Sayed deklaroi se kundërshtarët e tij nuk kishin sulmuar vetëm atë, por edhe qytetarët që e mbështetën.

Duke iu drejtuar rivalit republikan Mike Rogers, ai tha: “Mike, shijoje pensionin”, duke shtuar me ironi që të shijonte edhe jahtet e tij.

“Ti zgjodhe urrejtjen, ndërsa Michigani zgjodhi shpresën”, u shpreh ai.

Sipas Ynet, presidenti amerikan Donald Trump e kishte quajtur El-Sayedin “xhihadist të rrezikshëm” dhe qëllimisht i ishte drejtuar me emrin e gabuar “Mohammed El-Sayed”.

Ndërkohë, sipas CBS News, Trump kishte deklaruar gjithashtu se El-Sayed duhej të kalonte nëpër një detektor metalesh.

Rivali i tij republikan, Mike Rogers, ishte përpjekur ta lidhte El-Sayedin me organizatën Vëllazëria Myslimane.

Sipas WLNS, shumë demokratë dhe udhëheqës fetarë lokalë i kritikuan këto deklarata si retorikë kundër myslimanëve.

El-Sayed mohoi çdo lidhje me këtë organizatë dhe akuzoi kundërshtarët e tij për sulme islamofobe.

Nga ana tjetër, Rogers pretendoi se kundërshtimet e tij kishin të bënin me qëndrimet politike të El-Sayedit dhe jo me përkatësinë e tij fetare.

Në ditën e zgjedhjeve, El-Sayed mori mbështetje edhe nga ish-presidenti amerikan Barack Obama, i cili publikoi një videomesazh në përkrahje të tij.

“Bota po na vëzhgon”, shkroi El-Sayed teksa shpërndau videon.

Kur ishin numëruar 78 për qind e votave, El-Sayed kishte siguruar 51.8 për qind, ndërsa Rogers 46.2 për qind.

NBC News kishte përllogaritur se Rogers do të duhej të fitonte rreth 58.7 për qind të votave të mbetura për ta përmbysur rezultatin.

Kush është Abdul El-Sayed?

Abdul El-Sayed është djali i emigrantëve egjiptianë, mjek dhe epidemiolog.

Më parë ka shërbyer si komisioner i shëndetësisë në Detroit dhe ka drejtuar shërbimin e shëndetit publik në qarkun Wayne.

Ai mbështet ndërprerjen e të gjithë ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin, përfshirë edhe mbështetjen për sistemet e mbrojtjes kundërraketore.

Sipas Ynet, El-Sayed e ka akuzuar disa herë Izraelin për gjenocid në Rripin e Gazës.

Në zgjedhjet paraprake të demokratëve gjatë verës, ai kishte fituar me një diferencë të ngushtë ndaj kongresmenes Haley Stevens, e cila më vonë mbështeti kandidatin republikan Mike Rogers.

Rogers është ish-kongresmen dhe ish-agjent i FBI-së. Në vitin 2024, ai kishte humbur një tjetër garë për Senatin në Michigan ndaj demokrates Elissa Slotkin, me një diferencë prej rreth 20 mijë votash.

Asnjë republikan nuk është zgjedhur senator nga Michigani që nga viti 1994.

Kategoritë
BotaLajme