

Kategoritë
Sport

Refuzimi i futbollisteve iraniane për të kënduar himnin kombëtar para ndeshjes kundër Koresë së Jugut ka shkaktuar reagime të ashpra. Një prezantues në televizionin shtetëror iranian deklaroi se ato duhet të përballen me “turpin dhe akuzën për tradhti”.
Moderatori i emisionit Footnote dhe zëdhënësi radikal i regjimit, Mohammad Reza Shahbazi, tha se autoritetet duhet t’i shpallin ato tradhtare – një akuzë që në Iran mund të dënohet edhe me vdekje.
“Do të them vetëm një gjë: me tradhtarët në kohë lufte duhet të veprohet shumë më ashpër. Kushdo që në kohë lufte vepron kundër vendit duhet të ndëshkohet rëndë. Rasti i ekipit tonë kombëtar të futbollit të femrave që nuk këndoi himnin është shembull. Publiku dhe autoritetet duhet t’i konsiderojnë ato ‘tradhtare lufte’. Kjo nuk duhet parë si një protestë e zakonshme apo një gjest simbolik. Në ballin e tyre duhet të mbetet vula e turpit dhe e tradhtisë dhe ndaj tyre duhet të veprohet ashpër”, tha Shahbazi sipas një përkthimi të publikuar në platformën X.
Kujtojmë se futbollistet iraniane dhe trajnerja e tyre Marziyeh Jafari qëndruan në heshtje gjatë himnit të hënën, në një gjest që konsiderohet protestë e heshtur kundër regjimit.
Ky veprim ndodhi vetëm dy ditë pas vrasjes së liderit suprem iranian Ajatollah Ali Khamenei në një sulm amerikano-izraelit.
Ndryshe nga ndeshja e parë, futbollistet iraniane kënduan himnin para ndeshjes kundër Australisë, të cilën e humbën me rezultatin 4–0.