Shërbimet iraniane të inteligjencës dhe sigurisë kanë arrestuar mbi 700 persona të dyshuar si pjesë e një “rrjeti spiunazhi” izraelit brenda vendit, sipas raportimeve nga mediat lokale. Po ashtu, autoritetet kanë deklaruar se janë konfiskuar rreth 10.000 dronë.
Sipas agjencive iraniane Fars dhe Nournews, arrestimet janë kryer gjatë luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit.
Sulmi ushtarak i Izraelit ndaj Iranit përfshiu gjithashtu një operacion të paprecedentë të inteligjencës izraelite, që ka rezultuar në vrasjen e zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve bërthamorë të njohur.
Ndërkohë, Irani ka njoftuar se ka ekzekutuar tre burra të akuzuar për spiunazh në favor të Izraelit, vetëm një ditë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit mes dy vendeve.
“Idris Ali, Azad Shojai dhe Rasoul Ahmad Rasoul, të cilët kanë tentuar të fusin pajisje në vend për të kryer atentate, janë arrestuar dhe dënuar për bashkëpunim në dobi të regjimit sionist. Ekzekutimi i tyre u krye mëngjesin e sotëm,” njoftoi drejtësia iraniane.
Ekzekutimet ndodhën në qytetin Urmia, në veriperëndim të Iranit pranë kufirit me Turqinë. Mediat iraniane publikuan fotografi të tre të dënuarve me uniforma të kaltra të burgut.
Teherani shpesh njofton për arrestime dhe ekzekutime të personave të akuzuar për bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës së huaj, veçanërisht me ato izraelite.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, Irani renditet i dyti në botë për nga numri i ekzekutimeve, menjëherë pas Kinës.