Irani lë të hapur opsionin për mbylljen e plotë të ngushticës së Hormuzit në rast të “përshkallëzimit të konfliktit”

Irani mund ta mbyllë ngushticën e Hormuzit si formë kundërpërgjigjeje ndaj armiqve të tij, deklaroi politikani iranian Behnam Saeedi, megjithëse një tjetër anëtar i parlamentit theksoi se kjo do të ndodhte vetëm nëse interesat jetike të Teheranit do të viheshin në rrezik.

Në të kaluarën, Irani ka kërcënuar me mbylljen e kësaj rruge detare për shkak të presioneve nga Perëndimi, ndërkohë që burime nga industria detare njoftuan të mërkurën se anijet tregtare po shmangin ujërat iraniane përreth ngushticës.

“Irani ka shumë mundësi për t’iu përgjigjur armiqve të tij dhe do t’i përdorë ato në varësi të situatës,” citoi agjencia gjysmëzyrtare Mehr deklaratën e Saeed-it, anëtar i presidencës së Komisionit për Siguri Kombëtare në Parlamentin iranian.

Ai shtoi: “Mbyllja e ngushticës së Hormuzit është një nga opsionet e mundshme për Iranin.”

Mehr më pas citoi edhe një tjetër deputet, Ali Yazdikhah, i cili deklaroi se Irani do të vazhdojë të lejojë lundrim të lirë përmes ngushticës dhe në Gjirin Persik, për aq kohë sa interesat jetike kombëtare nuk cenohen.

“Nëse SHBA hyn zyrtarisht dhe operativisht në luftë në mbështetje të Izraelit, Irani ka të drejtën legjitime të ushtrojë presion mbi SHBA-në dhe vendet perëndimore duke penguar lirinë e tregtisë së naftës së tyre,” tha Yazdikhah.

Ai shtoi se deri më tani Irani është përmbajtur nga mbyllja e ngushticës, sepse të gjitha shtetet e rajonit – dhe shumë të tjera – përfitojnë prej saj.

“Është më mirë që asnjë vend të mos mbështesë Izraelin në kundërvënie ndaj Iranit. Armiqtë tanë e dinë mirë që ne kemi dhjetëra mënyra për ta bërë ngushticën e Hormuzit të pasigurt, dhe kjo është një mundësi që ne mund ta realizojmë,” theksoi ai.

Ngushtica e Hormuzit ndodhet ndërmjet Omanit dhe Iranit dhe është rruga kryesore e eksportit të naftës për prodhuesit nga Gjiri, si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku dhe Kuvajti.

Rreth 20% e konsumit të përditshëm global të naftës – rreth 18 milionë fuçi në ditë – kalon nëpër ngushticën e Hormuzit, e cila në pikën më të ngushtë është vetëm rreth 33 kilometra e gjerë.

Kategoritë
BotaLajme