Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli po përpiqen të kthejnë negociatat bërthamore në një “kurth strategjik” për Iranin, thuhet në një deklaratë të zyrtarëve iranianë të martën, disa ditë para raundit të gjashtë të planifikuar të bisedimeve bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së.
“SHBA-të nuk janë aspak serioze në këto bisedime. Qëllimi i tyre është që përmes këtyre negociatave të imponojnë kërkesat e tyre, duke mbajtur qëndrime ofensive që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e patjetërsueshme të iranianëve,” thuhet në deklaratën e deputetëve iranianë, sipas agjencisë Reuters.
Presidenti amerikan Donald Trump theksoi të hënën se të dyja palët janë ende në mosmarrëveshje lidhur me çështjen e pasurimit të uraniumit në Iran – një aspekt që ligjvënësit iranianë e konsiderojnë si pjesë të panegociueshme të programit bërthamor të vendit.
Ndërsa Trump deklaroi se raundi i ardhshëm i negociatave do të mbahet të enjten, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se bisedimet janë planifikuar të zhvillohen të dielën në Oman.
Irani pritet të paraqesë një kundërpropozim për ofertën amerikane për një marrëveshje bërthamore, të cilën e konsideron të papranueshme për shkak të qëndrimit të saj mbi pasurimin e uraniumit dhe mungesës së sqarimeve për heqjen e sanksioneve.
“E vetmja marrëveshje e pranueshme është ajo që heq të gjitha sanksionet në mënyrë të përhershme, me qëllim që Irani të përfitojë ekonomikisht,” shtuan ligjvënësit në deklaratën e tyre.