Iran, miratohet projektligji për të pezulluar marrëdhëniet me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së

Parlamenti iranian kërkon garanci të plotë sigurie për centralet bërthamore iraniane nga IAEA përpara se të rifillojnë marrëdhëniet.

 Komisioni parlamentar iranian miratoi një projektligj për të pezulluar plotësisht marrëdhëniet me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim, Komiteti i Sigurisë Kombëtare miratoi një draft për të pezulluar të gjitha lidhjet me IAEA-n derisa siguria e objekteve bërthamore të garantohet nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së.

“Irani nuk ka plane për aktivitete jo-paqësore, por bota dëshmoi qartë se IAEA nuk ka respektuar asnjë nga angazhimet e saj dhe është shndërruar në një mjet politik”, tha Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad-Bagher Ghalibaf.

Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin që nga 13 qershori, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke pretenduar se Teherani ishte në prag të prodhimit të një bombe bërthamore, një pretendim që Irani e mohon me forcë.

Ndërsa Irani nisi sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë, SHBA-ja iu bashkua konfliktit të dielën duke bombarduar tre objekte bërthamore iraniane.

Pas 12 ditësh sulmesh ajrore midis dy armiqve të përbetuar rajonalë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit të tyre.

Kategoritë
BotaLajme