IOM: Rreth 750 mijë sirianë të zhvendosur brenda vendit u kthyen në shtëpitë e tyre

Raporti theksoi se 28 për qind e atyre që u kthyen në vendet e tyre të origjinës banojnë në ndërtesa të dëmtuara ose të papërfunduara. Ndërkohë, rreth 7 milionë mbeten të zhvendosur brenda vendit

Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) ka bërë të ditur se që nga nëntori i vitit të kaluar pothuajse 750 mijë sirianë të zhvendosur brenda vendit janë kthyer në vendet e tyre të origjinës në Siri, transmeton Anadolu.

Në një raport të parë të tillë nga IOM mbi Sirinë që nga viti 2022, agjencia tha se një në pesë persona të zhvendosur në Siri, kryesisht nga qytetet Idlib, Halep dhe Hama, po banojnë në tenda ose strehimore të improvizuara në kushte të vështira të jetesës.

Raporti theksoi se 28 për qind e atyre që u kthyen në vendet e tyre të origjinës banojnë në ndërtesa të dëmtuara ose të papërfunduara. Ndërkohë, rreth 7 milionë mbeten të zhvendosur brenda vendit.

“Siria mbetet një krizë e madhe humanitare dhe nevojat janë të mëdha”, tha Amy Pope, drejtoresha e përgjithshme e IOM-it.

IOM derisa po vendosë praninë e saj në Damask, po riaktivizon edhe operacionet e saj të mbledhjes së të dhënave në Siri për të adresuar boshllëqet e informacionit në lidhje me nevojat humanitare dhe për të përmirësuar koordinimin me partnerët e OKB-së dhe komunitetet lokale.

Raporti i IOM-it theksoi një rënie të dukshme të zhvendosjes që nga mesi i dhjetorit të vitit 2024, me lëvizjet e kthimit që u intensifikuan në muajin janar pas rrëzimit të qeverisë së Bashar Asadit.

Që nga janari i vitit 2024, siç tregojnë të dhënat, gjithsej 571.388 individë janë kthyer në Siri nga jashtë vendit, prej të cilëve 259.745 janë kthyer pas nëntorit të vitit 2024.

Rreth 76 për qind e të ardhurve nga jashtë janë kthyer në vendin e tyre të origjinës. 50 për qind e tyre erdhën nga Libani, 22 për qind nga Türkiye dhe 13 për qind nga Iraku.

Kategoritë
BotaLajme