Në qendër të Moskës, në mes të ditës dhe përpara kalimtarëve të shumtë, gjashtë burra të veshur me të zeza, të lidhur me liderin çeçen Ramzan Kadirov, rrëmbyen biznesmenin armen Areg Shçepihin. Sipas mediave, arsyeja e rrëmbimit ishin fyerjet ndaj popullit çeçen, Islamit, Allahut dhe Kuranit që ai kishte bërë në rrjetet sociale. Lajmi u publikua nga The Moscow Times.
U rrëmbye publikisht dhe u fut me forcë në makinë
Sipas dëshmitarëve okularë, rrëmbyesit e sulmuan Shçepihinin dhe me forcë e futën në bagazhin e një veture Mercedes. Edhe pse ai bërtiti për ndihmë, askush nuk guxoi të ndërhyjë. Megjithatë, disa qytetarë njoftuan policinë.
Policia ndali veturën – por i rrëmbyeri nuk ishte më aty
Policia e ndali veturën pranë periferisë së Moskës, por Shçepihini nuk e gjeti në të. Gjashtë rrëmbyesit u arrestuan dhe u dërguan në stacionin e policisë, por të nesërmen u liruan me arsyetimin se “rrethanat janë sqaruar”.
Gazetarët që i pritën para stacionit të policisë i pyetën pse e rrëmbyen njeriun – ata vetëm qeshën, hipën në të njëjtën veturë dhe u larguan, raportoi The Moscow Times.
Arsyeja zyrtare: fyerje e ndjenjave fetare
Sipas TASS, Ministria e Brendshme e Çeçenisë tha se Shçepihini u ndalua për “fyerje të ndjenjave fetare dhe përçmim të dinjitetit njerëzor”. Autoritetet e akuzojnë për shprehje ekstremiste dhe blasfemi ndaj Zotit dhe fesë.
Kush është Areg Shçepihin?
Sipas kanalit Ostrožno Novosti, personi i rrëmbyer është Areg Shçepihin, 39-vjeçar, që e përshkruan veten si “hero i Rusisë, sipërmarrës dhe menaxher i lartë”.
Videoja me deklaratat fyese të tij u përhap në rrjetet sociale dhe blogerët çeçenë bënë thirrje për ndëshkimin e tij.
Autoritetet nuk kanë dhënë informacione të qarta për vendndodhjen e tij, nëse është në paraburgim apo përballet me ndonjë akuzë penale.
Ky rast ka shkaktuar debat në Rusi mbi sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe kufijtë e mbrojtjes së ndjenjave fetare.