Ushtria izraelite përdor sistematikisht civilët palestinezë si mburojë njerëzore gjatë operacioneve të saj në Rripin e Gazës, ka treguar një hetim i përditshmes izraelite Haaretz.
Sipas raportit të publikuar të martën, kjo praktikë zbatohet me dijeninë e zyrtarëve të lartë ushtarakë, përfshirë shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Herzl Halevi.
Hetimi, i cili bazohet në dëshmitë e ushtarëve dhe komandantëve izraelitë, zbuloi se civilët palestinezë zakonisht mbanin uniforma të ushtrisë izraelite dhe se shumë prej tyre ishin në të 20-at e tyre, shkruan gazeta.
“Shumica e tyre mbajnë atlete, jo çizme ushtarake. Duart u janë lidhur pas shpinës me pranga dhe fytyrat u janë mbushur me frikë,” shtohet më tej.
Gazeta zbuloi se “njësitë ushtarake izraelite në Rripin e Gazës kanë përdorur palestinezët e rastësishëm për një qëllim të vetëm: të shërbejnë si mburojë njerëzore për ushtarët gjatë operacioneve.”
“Jeta jonë është më e rëndësishme”
Raporti përshkruan se si këta civilë janë detyruar të ndjekin ushtarët izraelitë gjatë operacioneve dhe si janë dërguar përpara ushtarëve për të kontrolluar zonat potencialisht të rrezikshme. Ushtarëve që ishin përfshirë në këto operacione, thuhet se u është thënë se “jeta jonë është më e rëndësishme se jeta e tyre”, gjë që ka justifikuar përdorimin e palestinezëve si mburojë njerëzore për të shmangur humbjet izraelite.
“Ka krenari në këtë”, thuhet në raport, duke cituar ushtarët që zgjedhin banorët e Gazës për misione dhe i sjellin ata në brigada.
Gazeta Haaretz gjithashtu thekson se kjo praktikë shkel të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe Konventat e Gjenevës, të cilat ndalojnë përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore. Megjithatë, duket se kjo praktikë është përhapur dhe sistematike brenda operacioneve ushtarake izraelite në Gaza.
Krim i dokumentuar
Dërguar në të panjohurën: U shfaq një video ku ushtarët izraelitë përdorin civilët si mburojë njerëzore
“Ushtria u shtir si e pafajshme, pavarësisht videos së shfaqur në Al Jazeera rreth dy muaj më parë”, shkruan gazeta.
Në video mund të shihet se si ushtarët izraelitë veshin të burgosurit palestinezë me uniforma dhe jelekë antiplumb, u vendosin kamera dhe i dërgojnë në shtëpi të dëmtuara rëndë dhe hyjnë në tunele me duar të lidhura me lidhëse plastike, shtohet më tej.
Një ushtar që kishte marrë pjesë në përdorimin e banorëve të Gazës si mburojë njerëzore tha për Haaretz: “Kur pashë raportin e Al Jazeera-s, thashë: ‘Ah, po, është e vërtetë’.”
“Dhe më pas pashë përgjigjen e IDF-it (ushtrisë), e cila nuk pasqyronte plotësisht realitetin. Kjo është bërë të paktën me dijeninë e komandantit të brigadës”, shtoi ai.
Të mitur dhe të moshuar
Haaretz raportoi se civilët palestinezë, shpesh të mitur ose të moshuar, mbahen dhe përdoren nga ushtria izraelite në zona të ndryshme të Gazës. Ata detyrohen të kryejnë detyra të rrezikshme si hyrja në tunele ose ndërtesa përpara ushtarëve me një kamera të ngjitur në shpinë.
“Ka pasur situata kur njerëz vërtet të moshuar janë detyruar të hyjnë në shtëpi,” tha një ushtar.
Palestinezëve u është thënë: “Kryeni një mision… (shkallën) e tunelit dhe jeni të lirë,” tregoi një ushtar tjetër.
“Edhe pse disa palestinezëve u kërkohet të qëndrojnë në njësi ‘vetëm’ 24 orë, të tjerët përfundojnë duke qëndruar dy ditë ose edhe shtatë ditë”, thuhet në raport.
Hetimi gjithashtu zbulon se zyrtarët e lartë ushtarakë izraelitë, përfshirë shefin e shtabit Halevi dhe komandantin e jugut, gjeneralin Yaron Finkelman, ishin në dijeni të kësaj praktike. Pavarësisht se kjo praktikë është e ndaluar nga e drejta ndërkombëtare humanitare dhe vendimet e mëparshme të Gjykatës së Lartë të Izraelit, duket se vazhdon me miratimin e heshtur të liderëve ushtarakë.
Haaretz theksoi se përdorimi i civilëve si mburojë njerëzore nuk është një fenomen i ri, me praktika të ngjashme të regjistruara gjatë operacioneve të mëparshme ushtarake. Ushtria izraelite është përballur me kritika dhe sfida ligjore për shkak të kësaj praktike, por hetimi sugjeron se përdorimi i civilëve palestinezë si mburojë njerëzore është bërë sistematik në konfliktin e vazhdueshëm.
Duke iu përgjigjur hetimit, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se politika zyrtare e ushtrisë ndalon përdorimin e civilëve si mburojë njerëzore dhe se akuzat do të hetohen. Megjithatë, raporti sugjeron se kjo praktikë e rrezikshme dhe e paligjshme mbetet një pjesë e ngulitur e operacioneve ushtarake në Gaza.