Humbje për administratën Trump: Studenti që u arrestua për mbështetje ndaj Gazës lirohet pas tre muajsh paraburgimi

Mahmoud Khalil, student i Universitetit të Columbias në SHBA, është liruar nga paraburgimi për imigracion pas më shumë se tre muajsh ndalimi, për shkak të aktivizmit të tij pro-palestinez dhe kundër luftës së Izraelit në Gazë.

Khalil ishte figura më e njohur në mesin e studentëve ndërkombëtarë të arrestuar nga administrata e ish-presidentit Donald Trump, e cila e kishte akuzuar për përbërje të “kërcënimit për sigurinë kombëtare” për shkak të organizimit të protestave kundër gjenocidit në Gaza.

Gjykatësi federal Michael Farbiarz urdhëroi të premten pasdite lirimin e Khalilit, duke deklaruar se “ai nuk përbën rrezik për komunitetin dhe nuk ka rrezik arratisjeje”.

“Në fund, drejtësia fitoi, por me vonesë. Nuk duhej të zgjaste kaq shumë,” tha Khalil për mediat pas lirimit.

I pyetur nga The Guardian për të komentuar mbi pretendimet e administratës Trump, ai u përgjigj:

“Trump dhe administrata e tij zgjodhën njeriun e gabuar për ta bërë këtë shembull. Por realisht, nuk ka person të duhur për ta mbajtur në burg për shkak të protestës kundër gjenocidit.”

Ai u shpreh se mezi pret të rikthehet në shtëpi, ku do të takojë djalin e tij të porsalindur, i cili ka ardhur në jetë gjatë kohës kur Khalil ishte në paraburgim.

Si pjesë e kushteve të lirimit, Khalilit iu kërkua dorëzimi i pasaportës dhe kartës së gjelbër pranë autoriteteve të ICE në qytetin Jena. Ai do të lejohet të lëvizë vetëm në disa shtete amerikane, përfshirë New York-un, Louisianën, Michiganin dhe New Jersey-n, për t’u paraqitur para gjykatës.

Arrestimi i Khalilit është kritikuar gjerësisht si një përshkallëzim i rrezikshëm kundër të drejtës së fjalës së lirë, e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Rasti i tij ishte i pari në një seri ndalimesh ndaj studentëve ndërkombëtarë propalestinezë, dhe lirimi i tij po shihet si një tjetër disfatë për administratën Trump, e cila kishte premtuar dëbime masive të aktivistëve të huaj që mbështesin Palestinën.

Kategoritë
BotaLajme