Haxhiu: Gjykata Kushtetuese është vonuar

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se mungesa e vullnetit nga opozita po e pengon konstituimin e institucioneve dhe po e thellon krizën politike në vend, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka akuzuar opozitën për mungesë përgjegjësie dhe për shkelje të Kushtetutës.

“Ne gjatë kësaj kohe për asnjë moment nuk kemi parë një ndryshim të qëndrimeve nga ana e opozitës, kemi parë mungesë të theksuar të vullnetit për të kontribuar në konstituimin e Kuvendit. Kjo është sjellje e pa përgjegjshme politike, po ashtu është shkelje e Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014… qëndrimi i VV-së është i qartë: Kuvendi duhet të konstitutohet… nëse ne nuk do ta bëjmë propozimin për kryetar të Kuvendit kjo do të quhej bllokim, do të quhej mbajtje peng e Kuvendit të Kosovës. Ne jemi në të drejtën tonë kushtetuese,” ka deklaruar Haxhiu.

Ajo tha se qytetarët kanë pritshmëri të qarta dhe se vendi nuk mund të qëndrojë pafundësisht në një gjendje të tillë bllokade.

“Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin që të konstituohet Kuvendi, duhet ta themi që ndonëse ne jemi për konstituim të Kuvendit dhe votimin e qeverisë së re, nëse ka mungesë të vullnetit për ta bërë këtë, nëse ka një refuzim të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurt, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje sepse nuk mund të vazhdojmë më gjatë kështu. Mirëpo edhe për këtë duhet konstituim i Kuvendit, duhet marrëveshje për ta bërë këtë dhe pastaj shpërndarje e Kuvendit,” shtoi ajo.

Duke folur për rolin e Gjykatës Kushtetuese, Haxhiu tha se vendimi është vonuar dhe se kjo po ndikon në zvarritjen e proceseve demokratike.

“Gjykata Kushtetuese është vonuar, duhet ta themi hapur sepse nuk ka kuptim që një gjë kaq e thjeshtë – sepse disa deputetë të AAK-së dhe PDK e kanë kontestuar komisionin për votimin e fshehtë. Ose gjykata e bën të pranueshme këtë lëndë dhe e trajton nëse kryesuesi ka pasur të drejtë për komisionin për votimin e fshehtë – ne besojmë fuqishëm që ka pasur të drejtë… dhe letra e presidentes thotë që deputetët duhet të gjejnë mënyra për ta konstituuar Kuvendin. Ose ta shpallë të papranueshme. Gjykata Kushtetuese duhet t’i bëjë këto, duke pasur parasysh praktikat se duke mos pasur një objekt gjykata mund të shpallë të papranueshme këtë lëndë sepse duhet të kishte një vendim të Kuvendit. Presim vendimin, por nuk është në rregull që është vonuar kaq shumë,” ka përfunduar Haxhiu.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi