Haxhinjtë e Kosovës kthehen me përshtypje të bukura nga vendet e shenjta

Dhjetëra qytetarë, familjarë të personave që morën rrugë për në haxhin e vitit 2025, dolën për të pritur aterrimin e aeroplanit nga qyteti i Medinesë dhe për t’u takuar me të dashurit e tyre, pas më shumë se tre javësh mungesë, raporton Anadolu.

Pavarësisht orës së vonë pas mesnatës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ishte i mbushur me burra, gra e fëmijë që po prisnin dikë për t’u kthyer nga haxhi.

Fëmijë me fotografi të baballarëve të tyre në afërsi të Qabesë, prisnin me buqetë me lule takimet me padurim.

Çdo pjesëtar i haxhit që dilte nga dera e mbërritjeve, shoqërohej me duartrokitje dhe brohoritje nga të pranishmit, për ta bërë më të gëzueshëm rikthimin e tyre.

Njëri nga më të vjetrit e grupit kosovar në haxhin e këtij viti, Behgjet Sela nga komuna e Mitrovicës, thotë për Anadolu se i ka lënë përshtypje gjithë udhëtimi dhe të gjitha vendet që ka vizituar në Mekë dhe Medine.

Ai tha se ka pritur dy vjet për t’i ardhur radha për të shkuar në haxh.

“Çdo gjë atje ka qenë e veçantë dhe me rregull. Ne kur kemi shkuar e kemi ditur edhe që nuk është lehtë, por e kemi marrë vendimin dhe e kryem obligimin, duke iu lutur Zotit që të na ketë pranuar”, tha Sela.

Ai lutet që ndjesitë që pati ai, t’i provojë çdo besimtar musliman që ka dëshirë të shkojë në haxh.

Xhevat Ajeti nga Komuna e Vitisë i cili shkoi në haxh me djalin dhe bashkëshorten, tha se ka pritur shumë gjatë deri sa erdhi momenti për këtë përjetim jetësor.

Ai tha se përshtypjet e tij në Medine ishin më të bukurat e këtij udhëtimi.

“Kemi kaluar mirë elhamdulillah prej Zotit. Kuptohet, me mundime pak, për shkak të kohës së nxehtë, por, shumë mirë kemi kaluar. Të rinjtë do t’i lusja më mirë sa më të rinj të shkojnë, është më mirë, se në moshë të shtyrë, pak më vështirë”, tha Ajeti.

Nga Kosova këtë vit shkuan 1.576 haxhinj gjithsej, sipas Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Një nga këta haxhinj, ndërroi jetë më 1 qershor, pas arritjes në Mekë, atje edhe ku u bë ceremonia e varrimit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi