Haga po shndërrohet në një fortesë ushtarake: Vijnë Trump dhe liderët tjerë të NATO-s, në zhvillim operacioni më i madh i sigurisë

Haga është përmbytur këto ditë nga forcat ushtarake dhe policore në kuadër të një operacioni jashtëzakonisht të rreptë sigurie me rastin e takimit të liderëve të NATO-s, i cili zhvillohet nën emrin e koduar “Orange Shield” – “Mburoja Portokalli”.

Pjesë të këtij qyteti që zakonisht është i qetë po shndërrohen në një fortesë ushtarake. Vendparkimet janë bllokuar me gardhe sigurie të reja, punonjësve në zyrat përreth u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe linjat e transportit publik në afërsi të zonës janë devijuar.

Takimi do të mbahet më 24 dhe 25 qershor dhe pritet të marrin pjesë liderët e të 32 vendeve anëtare të Aleancës, përfshirë edhe presidentin amerikan Donald Trump.

Samiti zhvillohet në një kohë kur tensionet gjeopolitike globale janë në rritje dhe konflikti në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet.

Autoritetet janë duke “mbyllur” pjesë të qytetit në atë që përshkruhet si “operacioni më i madh i sigurisë ndonjëherë i zhvilluar në Holandë”. Rrugët dhe hapësira ajrore janë gjithashtu të mbyllura.

Barriera të përkohshme dhe gardhe metalike rrethojnë vendin ku mbahet samiti – Forumi Botëror – si pjesë e masave të shumta.

Agjencia AP raporton se rreth 27.000 policë do të jenë në detyrë, së bashku me mbi 10.000 pjesëtarë të ushtrisë. Ky numër përbën rreth gjysmën e forcave të përgjithshme të policisë në Holandë.

Të përfshira edhe avionë luftarakë dhe helikopterë

Policia ushtarake do të mbrojë delegacionet, ndërsa në terren do të jenë avionë luftarakë F-35 dhe helikopterë Apache, si dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore në gjendje gatishmërie.

Ekipet për çaktivizimin e bombave do të kontrollojnë në mënyrë të detajuar vendin e mbajtjes së samitit për mjete shpërthyese.

Autokolonat me liderë do të lëvizin me shoqërim të policisë ushtarake në autostrada të mbyllura nga aeroporti deri te vendet e tyre të akomodimit. Dronët civilë janë të ndaluar në këtë zonë, ndërsa dronët e policisë dhe ushtrisë do të patrullojnë vendin e samitit dhe zonat përreth.

Ku po mbahet

Kur krerët e shteteve të mblidhen të mërkurën, pritet të diskutohet rritja e shpenzimeve ushtarake, pasi Trump këmbëngul që Evropa duhet të kujdeset për sigurinë e vet, ndërsa SHBA po përqendrohet në Kinën dhe kufijtë e saj.

Vendi i zhvillimit të samitit është një qendër konferencash dhe teatër në afërsi të ndërtesës ku më parë ndodhej Tribunali i OKB-së për ish-Jugosllavinë, ku u dënuan për krime lufte Radovan Karaxhiç, komandanti i tij ushtarak Ratko Mladiç dhe të tjerë.

Kategoritë
BotaLajme