Guvernatori i New York-ut kritikohet se “fshehu” numrin e viktimave nga COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve

Prokurorja e Përgjithshme i Shtetit, Letitia James, publikoi një raport ku zbulohet se vdekjet që ndërlidhen me koronavirusin në shtëpitë e pleqve në të gjithë shtetin e New York-ut mund të ishin nënvlerësuar për 50 për qind.

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, si dhe ekipi i tij janë përballur me kritika të reja për dyshimin se kanë paraqitur numrër më të vogël të të vdekurve në shtëpitë e të moshuarve të shtetit amerikan.

“New York Post” raportoi se Melissa DeRosa, një ndihmëse e lartë e Cuomo-s, të mërkurën në një video-thirrje me demokratët tha se administrata e Cuomo-s kishte mohuar një kërkesë të ligjvënësve të shtetit të bërë në muajin gusht për numrin e personave që vdiqën në shtëpitë e pleqve në New York sepse “mu përreth në të njëjtën kohë, presidenti i atëhershëm Donald Trump e shdërroi këtë në një futboll gjigant politik”.

“Ai fillon të publikojë në Twitter se ne vramë të gjithë në shtëpitë e të moshuarve”, citohet të ketë thënë DeRosa nga New York Post, që siguroi një regjistrim audio të thirrjes. “Dhe faktikisht, ne ndaluam”.

“Sepse atëherë ne ishim në një pozitë ku nuk ishim të sigurt nëse ajo që do t’i jepnim Departamentit të Drejtësisë, ose çfarë do t’ju jepnim juve djema, ajo që ne fillojmë të themi, do të përdorej kundër nesh ndërsa nuk ishim të sigurt nëse do të kishte një hetim”, shtoi ajo.

Senatori demokrat i shtetit, Andrew Gounardes, tha se kjo çështje është një “tradhti e besimit të opinionit”.

“Duhet të ketë llogaridhënie të plotë për atë që ndodhi dhe legjislatura duhet të rishikojë dhënien e gjerë të kompetencave të emergjencës guvernatorit”, u shpreh ai në Twitter.

Komentet e këshilltares DeRosa u bënë publike rreth dy javë pasi Prokurorja e Përgjithshme i Shtetit, Letitia James, publikoi një raport ku zbulohet se vdekjet që ndërlidhen me koronavirusin në shtëpitë e pleqve në të gjithë shtetin e New York-ut mund të ishin nënvlerësuar për 50 për qind.

Raporti përfshiu një mostër prej 62 shtëpive të të moshuarve, ose 10 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre në New York. Në raport thuhet se një numër më i madh i banorëve vdiqën nga COVID-19 sesa reflektonin të dhënat e Departamentit të Shëndetësisë.

Përderisa shtëpitë e të moshuarve raportuan 1.914 vdekje nga virusi, departamenti i shëndetit të shtetit tha se vetëm 1.229 vdekje ndodhën në ato ambiente, thuhet në raport.

“Përderisa pandemia dhe hetimet tona vazhdojnë, është e domosdoshme që të kuptojmë pse banorët e shtëpive të pleqve në New York pësuan pa nevojë me një ritëm kaq alarmant”, tha James në një deklaratë.

“Përderisa ne nuk mund t’i kthejmë individët që kemi humbur në këtë krizë, ky raport kërkon të ofrojë transparencën që meriton publiku dhe të nxisë veprim të shtuar për të mbrojtur banorët tanë më të prekshëm”, shtoi ajo.

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, premtoi vitin e kaluar të bënte “një përpjekje të veçantë” për të mbrojtur shtëpitë e të moshuarve dhe më pas urdhëroi prokuroren James të hetojë se sa zbatoheshin udhëzimet për COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve.

Kategoritë
BotaLajme