Guardiola mbajti një leksion për njerëzimin mbi Gazën: Më dhemb gjithë trupi për atë që po shohim

Pep Guardiola mbajti një fjalim të fuqishëm dhe politikisht të ngarkuar për situatën në Gaza, pasi dje mori titullin “Doktor Nderi” nga Universiteti i Manchesterit.

Trajneri i Manchester Cityt, të cilit iu dha ky nder për kontributin e tij në qytet gjatë nëntë viteve në Etihad, pranoi se lufta në Gaza “i dhemb gjithë trupin” dhe dërgoi një paralajmërim të fortë për ata që mbyllin sytë përballë tragjedisë.

Guardiola iu bashkua Manchester Cityt në vitin 2016, duke pasuar Manuel Pellegrinin, dhe që atëherë ka fituar një numër të madh trofesh, përfshirë gjashtë tituj të Premier League, katër Kupa të Ligës, dy FA Cup dhe një Ligë të Kampionëve.

Gjatë marrjes së këtij titulli në sallën Whitworth Hall, që iu dorëzua nga rektori i universitetit Nazir Afzal, Guardiola e shfrytëzoi rastin për të folur për Gazën:

“Është shumë e dhimbshme ajo që po shohim në Gaza. Më dhemb gjithë trupi. Të jem i qartë: kjo nuk ka të bëjë me ideologji. Nuk ka të bëjë me faktin nëse unë kam të drejtë dhe ti jo. Jo, kjo ka të bëjë me dashurinë për jetën. Me kujdesin për tjetrin. Ndoshta mendojmë se mund të shohim fëmijë katërvjeçarë e pesëvjeçarë duke u vrarë nga bomba apo në spitale që më nuk janë spitale, dhe të themi: ‘Kjo nuk na prek.’ Dakord, mund të mendojmë kështu. Por kini kujdes. Herën tjetër do të zgjasë më shumë. Herën tjetër ata fëmijë katër apo pesë vjeç do të jenë tanët. Më vjen keq që i shoh fëmijët e mi, Marian, Mariusin dhe Valentinën çdo mëngjes që nga momenti kur kjo makth nisi në Gaza. Dhe jam shumë i frikësuar.”

Guardiola vazhdoi:

“Ndoshta kjo pamje na duket larg vendit ku jetojmë. Dhe ndoshta pyesim veten: çfarë mund të bëjmë ne? Ka një tregim që më kujton gjithmonë këtë. Një pyll digjet. Të gjitha kafshët janë të tmerruara, të pafuqishme. Por një zog i vogël fluturon përpara dhe mbrapa drejt detit, duke mbajtur pika uji në sqepin e tij të vogël. Një gjarpër e pyet me tallje: ‘Pse po e bën këtë, vëlla? Nuk do ta fikësh zjarrin.’ Zogu i vogël përgjigjet: ‘E di.’ ‘Po atëherë pse vazhdon ta bësh përsëri dhe përsëri?’ pyet sërish gjarpri. Dhe zogu përgjigjet: ‘Po bëj pjesën time.’

Zogu e di se nuk do ta ndalë zjarrin, por ai refuzon të qëndrojë duarkryq. Në një botë që shpesh na thotë se jemi shumë të vegjël për të ndryshuar diçka, ky tregim më kujton se fuqia e individit nuk qëndron në përmasë, por në zgjedhje. Në guximin për të vepruar, për të mos heshtur, pikërisht kur është më e rëndësishme.”

Të kujtojmë se Kombet e Bashkuara paralajmëruan më herët këtë javë se Gaza po përballet me “nivela të tmerrshme të vdekjes dhe shkatërrimit” dhe kërkuan nga Izraeli të lejojë “shpërthimin e ndihmave humanitare” drejt qytetit.

Kategoritë
BotaLajmeSport