Greta Thunberg zbarkon në Paris pas dëbimit nga Izraeli: “Në Gaza po ndodh një gjenocid, kjo është e vërteta”

Aktivistja suedeze Greta Thunberg ka mbërritur në Paris pasi u deportua nga Izraeli.

Pas mbërritjes në aeroportin e Parisit, ajo deklaroi se ishte rrëmbyer nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare.

Thunberg (22 vjeç) mbërriti në Paris një ditë pasi marina izraelite e pengoi atë dhe një grup aktivistësh pro-palestinezë të lundronin drejt Gazës me qëllim që të thyenin bllokadën shumëvjeçare detare.

Forcat izraelite u ngjitën të hënën në mëngjes në bordin e anijes së një organizate humanitare ndërsa ajo po i afrohej Gazës, dhe arrestuan 12 anëtarët e ekuipazhit, përfshirë edhe Thunberg.

“Në dëshminë time isha shumë e qartë: na rrëmbyen në ujërat ndërkombëtare dhe na çuan me forcë në Izrael kundër vullnetit tonë. Na mbajtën në pjesën e poshtme të anijes dhe nuk na lejuan të dilnim jashtë. Por e vërteta e madhe është se atje po ndodh një gjenocid dhe një uri sistematike,” tha ajo, duke theksuar rëndësinë e dërgimit të ndihmave mjekësore dhe ushqimore në Rripin e Gazës dhe nevojën për të çliruar bllokadën detare shumëvjeçare.

Izraeli e cilësoi udhëtimin e saj dhe të 11 aktivistëve të tjerë si “propagandë pro-Hamas”.

“Sasia e vogël e ndihmës që ndodhej në jaht dhe që nuk u konsumua nga ‘personazhet e famshëm’, do të dërgohet në Gaza përmes kanaleve të vërteta humanitare,” njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme