Greta Thunberg, aktivistja e njohur suedeze për klimën, ka dhënë një deklaratë nga bordin e anijes që po lundron drejt Gazës, në një intervistë për Middle East Eye. Ajo theksoi se nëse qeveritë i kanë tradhtuar palestinezët, atëherë “është detyra jonë të ndërmarrim veprim dhe të sillemi si të rritur në dhomë”.
Duke folur nga ujërat ndërkombëtare të Mesdheut, Thunberg tha se atmosfera në anijen Madleen, e cila është pjesë e misionit “Flotilja e Lirisë” që synon të thyejë bllokadën izraelite ndaj Gazës, është e lartë.
“Jemi në rrugë drejt Gazës si pjesë e flotiljes. Morali është shumë i lartë”, deklaroi ajo.
Greta dhe 11 aktivistë të tjerë u nisën të dielën nga Sicilia, duke mbartur ndihma urgjente për palestinezët e rrethuar dhe të uritur. Ndihmat përfshijnë: ushqim për foshnje, miell, oriz, pelena, produkte higjienike për gra, pajisje për desalinizimin e ujit, ndihma mjekësore, paterica dhe proteza për fëmijë.
“Nuk mund të rrimë ulur dhe të shohim këtë që po ndodh. Jemi dëshmitarë të një gjenocidi që vjen pas dekadash shtypjeje sistematike, spastrim etnik dhe okupimi. Ne jemi thjesht njerëz të shqetësuar që nuk e pranojmë këtë realitet,” tha Thunberg.
Muajin e kaluar, një tjetër anije e organizuar nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, Conscience, u ndalua pasi u godit nga dy dronë pranë ujërave malteze. “Të gjitha provat tregojnë se ishte një sulm nga Izraeli,” tha Thunberg.
Ajo është e vetëdijshme për rreziqet: “Sigurisht që ekziston rreziku që të ndalemi në rrugë. Por ne jemi aktivistë paqësorë dhe vullnetarë, pa armë. Po lundrojmë në ujëra ndërkombëtare, që është e drejta jonë.”
Anija pritet të arrijë në Gaza për rreth shtatë ditë. Ajo po monitorohet në kohë reale nga faqja e internetit e FFC-së për “siguri, përgjegjësi dhe solidaritet”.
Flotiljet e FFC-së përpiqen prej gati dy dekadash të thyejnë bllokadën tokësore, detare dhe ajrore izraelite ndaj Rripit të Gazës. Në vitin 2010, anija Mavi Marmara u sulmua nga forcat izraelite që vranë dhjetë aktivistë. Që atëherë, Izraeli vazhdimisht ka ndaluar dhe sekuestruar anijet e flotiljeve.
Thunberg, e cila u shpall Personi i Vitit nga Time në vitin 2019 për aktivizmin e saj klimatik, mbetet e vendosur: “I kemi premtuar vetes dhe popullit palestinez që do të bëjmë gjithçka që mundemi. Kur qeveritë tona na tradhtojnë, atëherë ne duhet të marrim përgjegjësinë.”
Izraeli ka mbajtur një bllokadë totale të ndihmave për Gazën për 11 javë, përpara se më 19 maj të lejonte dërgimin shumë të kufizuar të ndihmave të OKB-së. Ky plan, i mbështetur nga SHBA, është kritikuar si i parealizueshëm.
Thunberg dhe aktivistët janë përballur me tallje dhe kërcënime ditët e fundit. Senatori amerikan Lindsey Graham shkroi në X: “Shpresoj që Greta dhe miqtë e saj dinë të notojnë!”
Por Thunberg nuk i ka parë këto komente: “Fatmirësisht nuk kam qasje në rrjetet sociale këtu, kështu që nuk shoh gjithë atë urrejtje. Është absurde që në kohë gjenocidi, politikanët që janë bashkëfajtorë në këtë, e shfrytëzojnë momentin për të tallur njerëzit që të paktën po përpiqen të bëjnë diçka.”
Ajo theksoi se komuniteti ndërkombëtar i ka tradhtuar palestinezët – jo vetëm duke mos bërë asgjë, por duke bashkëpunuar aktivisht.
“Qeveritë tona, institucionet tona, kompanitë tona po e mbështesin këtë gjenocid. Janë paratë tona nga taksat. Mediat tona vazhdojnë të çnjerëzojnë palestinezët. Në emër të komunitetit ndërkombëtar, të ashtuquajturit botë perëndimore, më vjen thellësisht keq që ju kemi tradhtuar duke mos ju mbështetur sa duhet,” tha Thunberg.
E pyetur për lidhjen mes klimës dhe drejtësisë sociale, ajo shtoi: “Është e çuditshme që njerëzit ndajnë kujdesin për mjedisin nga kujdesi për njerëzit. Ne luftojmë për drejtësi, qëndrueshmëri dhe çlirim për të gjithë. Nuk mund të ketë drejtësi klimatike pa drejtësi sociale.”