Greta Thunberg denoncon “rrëmbimin” pas ndalimit të anijes humanitare për në Gaza nga Izraeli

Duke folur në Aeroportin Charles de Gaulle të Parisit, ku mbërriti para se të nisej për në Suedi, Thunberg tha se ishte “rrëmbyer” nga forcat izraelite në ujëra ndërkombëtare

Aktivistja suedeze Greta Thunberg ka akuzuar Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar pas deportimit të saj pas përpjekjes për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza nga deti, transmeton Anadolu.

Duke folur në Aeroportin Charles de Gaulle të Parisit, ku mbërriti para se të nisej për në Suedi, Thunberg tha se ishte “rrëmbyer” nga forcat izraelite në ujëra ndërkombëtare.

“Ata bënë një akt të paligjshëm duke na rrëmbyer në ujëra ndërkombëtare dhe kundër vullnetit tonë duke na sjellë në Izrael, duke na mbajtur në pjesën e poshtme të anijes, duke mos na lënë të dalim e kështu me radhë”, u tha Thunberg gazetarëve.

22-vjeçarja ishte në bordin e anijes Madleen, e cila operohej nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, që u ndalua nga forcat detare izraelite të hënën në mëngjes afër 200 kilometra larg bregdetit të Gazës.

Anija mbante ndihma humanitare dhe synonte të protestojë kundër asaj që aktivistët e përshkruajnë si një “gjenocid të vazhdueshëm” dhe “uri të orkestruar” në Gaza.

“Historia e vërtetë është se në Gaza po ndodh një gjenocid dhe një uri sistematike pas një rrethimi dhe bllokade. Ushqimi, ilaçet dhe uji janë urgjentisht të nevojshëm”, tha Thunberg.

E pyetur për imazhin viral të saj duke marrë një sanduiç nga një ushtar izraelit, Thunberg e quajti atë një “mashtrim PR”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit konfirmoi deportimin e saj, duke bërë të ditur se ajo është dërguar në Francë dhe do të vazhdojë për në Suedia. Ministria izraelite postoi një fotografi të Thunberg në një aeroplan, pavarësisht qëndrimit të saj të njohur kundër udhëtimit ajror për arsye klimatike.

Autoritetet izraelite vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin e tyre se bllokada detare në Gaza është e ligjshme, duke hedhur poshtë akuzat për shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Ambasadori izraelit në Francë, Joshua Zarka, tha se anija u kap në ujërat izraelite.

Derisa Thunberg dhe dy të tjerë, përfshirë një gazetarë, u deportuan, tetë aktivistë të tjerë, përfshirë eurodeputeten franceze Rima Hassan, mbeten në paraburgim izraelit. Sipas autoriteteve izraelite, katër prej tyre pritet të paraqiten para një gjyqtari.

“Unë po bëj thirrje të fortë për lirimin e tyre të menjëhershëm”, tha Thunberg, duke shtuar se qasja në përfaqësim ligjor për të paraburgosurit është e kufizuar.

“Jam shumë e shqetësuar për ta”, shtoi ajo.

Thunberg kërkoi që ndihma humanitare të lejohet të hyjë në Gaza, si dhe një armëpushim dhe t’i jepet fund “pushtimit” dhe “shtypjes dhe dhunës sistematike me të cilën palestinezët po përballen çdo ditë”.

Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, që organizoi misionin, tha se ndalimi ishte “i paligjshëm, i motivuar politikisht dhe një shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit ndërkombëtar”.

Grupi i bëri thirrje Izraelit të lirojë pasagjerët e mbetur pa deportim dhe t’u lejojë atyre të vazhdojnë udhëtimin e tyre për në Gaza.

Sabine Haddad, një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Izraelit, tha se aktivistët e deportuar kanë hequr dorë nga e drejta e tyre për t’u paraqitur para një gjyqtari, ndërsa të tjerët do të mbeten në paraburgim deri në 96 orë para se të merret një vendim.

Kategoritë
BotaLajme