Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht të shtunën, më 28 qeshor, se gazetari Valon Syla është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëjetueses së tij.
Sipas të dhënave policore, viktima E.N. ka deklaruar se është sulmuar fizikisht dhe ofenduar rëndë nga i dyshuari, për çka ka pranuar trajtim mjekësor dhe është fotografuar për dëshmitë e lëndimeve.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar gazetarit Valon Syla masën e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar.
Caktimin e masës së sigurisë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Në deklarimin e saj të dytë, viktima ka konfirmuar pretendimet fillestare, ndërsa dëshmitarja, motra e saj E.N., 24 vjeçare, ka dorëzuar video-incizime të momentit të incidentit, të cilat do të përdoren si provë në rastin penal.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.