Gjermania po përgatit plane për zgjerim të shpejtë të rrjetit të saj të bunkerëve dhe strehimoreve kundër bombave, ka deklaruar Ralph Tiesler, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë në Fatkeqësi (BBK). Ai paralajmëroi se vendi duhet të jetë i përgatitur për një sulm të mundshëm rus brenda katër viteve të ardhshme.
Tiesler tha për gazetën Süddeutsche Zeitung, se për një kohë të gjatë në Gjermani ka ekzistuar bindja e gabuar se lufta nuk është skenar për t’u përgatitur, por kjo është ndryshuar pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Jemi të shqetësuar për rrezikun e një lufte të madhe agresive në Evropë. Duhet të zgjohemi si shtet,” tha ai.
Ai bëri thirrje për mobilizim kombëtar që të identifikohen stacionet e metrosë, garazhet nën tokë, parkingjet dhe bodrumet e ndërtesave publike, të cilat mund të shndërrohen në strehimore, duke synuar të sigurojnë strehim për një milion persona. BBK pritet të paraqesë një plan të plotë verën e këtij viti.
Gjendja aktuale e bunkerëve
Nga rreth 2.000 bunkerë dhe dhoma mbrojtëse që kanë mbetur nga Lufta e Ftohtë, vetëm 580 janë funksionale dhe mund të strehojnë afro 480.000 persona. Në krahasim, Finlanda ka 50.000 dhoma mbrojtëse, që ofrojnë strehim për 85% të popullsisë së saj.
Sipas Tieslerit, ndërtimi i bunkerëve të rinj kërkon kohë dhe para, prandaj vëmendja duhet të fokusohet tek infrastruktura ekzistuese. Ai shtoi se duhet përmirësuar edhe sistemet e informimit publik, si aplikacionet, sinjalistika dhe sirenat, dhe ato të mbrohen nga sulmet kibernetike.
Shkaqet e frikës
Frika për një përshkallëzim të luftës nga ana e Rusisë është rritur në disa vende evropiane si Polonia, shtetet baltike dhe Gjermania, veçanërisht pas sulmeve të fundit ndaj qytetit ukrainas Harkiv.
“Qyteti është nën sulmin më të rëndë që nga fillimi i luftës”, deklaroi kryetari Ihor Terekhov.
Financimi i munguar
Tiesler ka bërë thirrje që qeveria e kancelarit Friedrich Merz të ndajë buxhet për zbatimin e këtij plani, duke vlerësuar se janë të nevojshme të paktën 10 miliardë euro në 4 vitet e ardhshme, dhe 30 miliardë euro brenda një dekade. Deri më tani, qeveria nuk ka ndarë fonde konkrete, por ka pranuar se planet janë të domosdoshme.