Gjenerali iranian Mohsen Rezaei ka dhënë deklarata të forta në lidhje me luftën në vazhdim midis Iranit dhe Izraelit. Në një intervistë për median iraniane Akharin Khabar, Rezaei deklaroi se kishin dijeni për këtë luftë që në muajin mars, dhe se materialet bërthamore ishin zhvendosur shumë kohë më parë nga objektet që Izraeli pretendon se i ka goditur.
“E kemi zhvendosur të gjithë uraniumin”
Duke iu referuar sulmeve ajrore izraelite, Rezaei u shpreh:
“Izraeli mendon se ka goditur objektet tona bërthamore, por ne i kishim zhvendosur të gjitha materialet muaj më parë. Të gjithë uraniumi është aktualisht në duart tona.”
“Kemi ditur për luftën që në mars”
Gjenerali iranian theksoi se qeveria iraniane ka qenë e përgatitur për këtë përplasje që nga fillimi i pranverës, duke deklaruar:
“E dinim që në mars se lufta ishte e pashmangshme.”
Ai shtoi gjithashtu se deri më tani nuk kanë përfshirë aleatët rajonalë të Iranit në konflikt, pavarësisht se ka pasur kërkesa nga ana e tyre për t’u bashkuar në luftë:
“Miqtë tanë kanë kërkuar të përfshihen, por ne u kemi thënë se ende nuk është momenti.”
Sfondi i luftës
Të mërkurën e kaluar, Izraeli kreu një sulm ajror masiv ndaj Iranit me rreth 200 avionë luftarakë. Në këtë ofensivë, u goditën shkencëtarë bërthamorë dhe komandantë të lartë të ushtrisë iraniane, ndërsa shumë civilë humbën jetën.
Irani iu përgjigj menjëherë me sulme raketore, dhe përplasja mes dy vendeve ka hyrë në ditën e tetë, duke përshkallëzuar rrezikun për një konflikt më të gjerë rajonal.