Gëzimi i të riut palestinez që u shndërrua në dhimbje me fatkeqësinë që i shkaktoi Izraeli

I liruar nga burgjet izraelite si pjesë e shkëmbimit të pengjeve, gëzimi i lirisë së Ahmed Abu Jusufit u shndërrua në dhimbje të thellë pasi babai i tij u vra nga Izraeli, vëllai i tij u arrestua dhe vëllai tjetër u plagos rëndë

MUHAMMED MACİD

I liruar nga burgjet izraelite si pjesë e shkëmbimit të pengjeve, gëzimi i lirisë së Ahmed Abu Jusufit u shndërrua në dhimbje të thellë pasi babai i tij u vra nga Izraeli, vëllai i tij u arrestua dhe vëllai tjetër u plagos rëndë.

Ahmedi i cili ishte vetëm 17-vjeç kur u arrestua nga ushtarët izraelitë në Jabalia në Rripin e Gazës veriore më 25 tetor 2024, foli për Anadolu për burgosjen e tij si fëmijë, trajtimin çnjerëzor që iu nënshtrua dhe situatën me të cilën u përball pas lirimit më 27 shkurt.

– Presion dhe tortura të rënda në burg

Ahmedi tha se në burg u nënshtroheshin vazhdimisht poshtërimeve, torturave dhe presioneve dhe se ndaj tyre u lëshua gaz për katër ditë me radhë deri në “mbytje”. “Na mbytën me gaz për ditë të tëra, na rrahën pa mëshirë. Nuk treguan respekt as për moshën tonë si fëmijë dhe as për faktin që ne ishim njerëz. Na hoqën thonjtë, na prangosën kyçet e duarve deri në gjakosje, na vërsulën qentë dhe na thyen kockat”, tregon ai.

Sipas raporteve të organizatave palestineze dhe atyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhjetëra të burgosur kanë vdekur në burgjet izraelite për shkak të torturave dhe neglizhencës mjekësore.

Ahmedi thotë se ndaj tij drejtoheshin akuza të pabaza të tilla si “anëtar i Hamasit” dhe “organizim i akteve terroriste”, por që ai i ka mohuar kategorikisht akuzat. “Nuk bëra asgjë. Thjesht doja të jetoja. Torturat nuk u ndalën gjatë gjithë kohës që isha në burg deri në momentin që u lirova”, shtoi Ahmedi.

Duke thënë se nuk mundën t’i shpëtonin dhunës as ditën që u liruan, Ahmedi tha se para se të liroheshin, një grup i forcave speciale izraelite hynë në qelitë e tyre dhe i rrahën dhunshëm. “Ishte sikur donin që ne të dilnim në liri duke na thyer kockat”, tha ai.

– Shkatërrimi i madh që përjetoi duke rifituar lirinë

Ahmedi i cili doli nga burgu me trupin e mbuluar me mavijosje, pësoi plagë më të mëdha mendërisht gjatë lirisë së tij.

Ai kishte ëndërruar pritjen nga ati me duar hapur, por ai takoi dajën e tij me lotët që i rridhnin në fytyrë.

Duke thënë se bota e tij u errësua me fjalët e dajës së tij se “Babai yt ra dëshmor në sulmet izraelite. Një nga vëllezërit e t’u u plagos rëndë. Vëllai yt tjetër është arrestuar. Shtëpia juaj u shkatërrua nga sulmet”, Ahmed tha se e gjeti veten jashtë burgut, në një zonë që ishte kthyer në një qendër të madhe paraburgimi të rrethuar nga humbje, vdekje dhe shkatërrim.

– Marrëveshja mes Hamasit dhe Izraelit për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve

Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve që u arrit mes Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi më 19 janar.

Në fazën e parë të marrëveshjes, u liruan më shumë se 1.700 të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite ndërsa u dorëzuan 25 të pengje në Gaza dhe trupat e 8 të burgosurve që vdiqën në sulmet izraelite. Përveç kësaj u liruan edhe pesë të burgosur tajlandezë në Gaza.

Faza e parë 42-ditore e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza përfundoi më 1 mars.

Faza e dytë e negociatave për marrëveshjen duhej të fillonte më 3 shkurt, por sipas mediave izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu ka bllokuar fillimin e fazës së dytë të negociatave.

Kategoritë
BotaLajme