Gërvalla: SHBA, partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme, jo vetëm në bashkërendimin e politikave në raport me vendet e tjera, por edhe në mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës.

Ajo i bëri këto komente pas një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Philip Kosnett, me të cilin diskutuan tema të ndryshme, në veçanti ato që kanë të bëjnë me zhvillimet në vend, raportet ndërfqinjësore, si dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy popujve miq.

“Kontributi i SHBA-së në raport me Kosovën është vështirë përshkruhet me pak fjalë, ngase përkrahja amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash. Një Kosovë e fortë, demokratike, ku zbatohet ligji dhe respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar, një Kosovë me mirëqenie dhe e integruar në BE dhe NATO, është interes i yni i përbashkët”, tha Gërvalla.

Në këtë takim u bisedua edhe për situatën aktuale me pandeminë, si dhe nevoja urgjente për rimëkëmbje ekonomike dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.

Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, drejtuesja e diplomacisë kosovare theksoi nevojën për zhvillimin e bisedimeve përmbajtësore, të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje që nuk cenon kushtetuetshmërinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, si zgjidhje e vetme për paqe të qëndrueshme në rajon.

Kategoritë
LajmeVendi