Fundjava shënon fluksin më të madh në Morinë, arrijnë edhe tifozë të zjarrtë të Kombëtares

Fundjava ka sjellë fluksin më të madh të lëvizjeve në Pikën Kufitare të Morinës për këtë sezon veror, me rreth 56 mijë qytetarë që kanë kaluar kufirin gjatë dy ditëve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, 45,701 shtetas janë futur në Shqipëri, kryesisht pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë ditët e nxehta të qershorit në bregdetin shqiptar.

Përveç turistëve, në këtë fundjavë kanë mbërritur edhe tifozë të zjarrtë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë hyrë në vend për të ndjekur nga afër ndeshjen Shqipëri–Serbi, raporton Tch.

Në dalje nga Shqipëria janë regjistruar 10,805 shtetas me 3,467 automjete, ndërsa në hyrje janë evidentuar 14,619 automjete – një tregues i qartë i numrit të lartë turistike, që pritet të rriten edhe më shumë në javët në vijim.

Autoritetet kufitare bëjnë me dije se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve. Shqipëria duket se po hyn zyrtarisht në sezonin turistik me numër të lartë pushuesish dhe interes në rritje.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi