Franca ka nisur zhvillimin e një rakete të re balistike me rreze të mesme veprimi, e cila do të jetë e aftë të godasë objektiva përtej distancës prej 2.000 kilometrash.
Aktualisht, po zhvillohen specifikimet teknike për këtë raketë e cila do të jetë e pajisur me kokë luftarake konvencionale. Qëllimi i saj është të shërbejë si mjet për ndalim jo-bërthamor dhe neutralizim të objektivave armike në distanca të gjata.
Gjatë prezantimit të konceptit në parlamentin francez, u diskutua gjithashtu mundësia që këto raketa të vendosen edhe jashtë territorit francez.
Fillimisht ishin marrë në konsideratë si raketat balistike, ashtu edhe ato lundruese, por përvoja nga lufta në Ukrainë e bindi Parisin se raketat balistike janë shumë më të vështira për t’u kapur nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndaj u zgjodh kjo rrugë.
Sipas presidentit të parlamentit francez, synimi është që ky projekt të lidhet ngushtë me programin evropian të raketave me rreze të gjatë veprimi (ELSA), si dhe të integrohet me programin ekzistues kombëtar PEM FLP-T për raketa tokësore me goditje të largët.
Franca është e vetmja vend evropian që zotëron kapacitet të avancuar për prodhimin e raketave. Ajo aktualisht prodhon raketat balistike ndërkontinentale M51 për nëndetëset e saj bërthamore dhe është pjesëmarrëse në programin hapësinor të raketave lëshuese Ariane.
Falë kësaj, Franca ka mundësinë të përdorë teknologjitë ekzistuese për t’i siguruar NATO-s evropiane kapacitete për sulme të gjata në dekadat e ardhshme — me objektiv dorëzimin e këtyre raketave brenda 20 viteve.
Ideja për këtë raketë të re u diskutua për herë të parë në vitin 2024, kur u përcaktuan kërkesat bazë për të goditur objektiva në distanca mbi 1.000 km.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Franca ishte gjithashtu i vetmi vend evropian me raketa taktike balistike të prodhimit vendor – të njohura si Pluton – të cilat u tërhoqën nga përdorimi me vendim qeveritar, megjithëse ishin të vetmet raketa tokësore franceze që mund të bartnin armë bërthamore.