Franca përgatitet për raundin e 4-t të protestave kundër reformës së pensioneve

Pothuajse 240 tubime pritet të mbahen në gjithë vendin në raundin e katërt të protestave, pas atyre të 19 janarit, 31 janarit dhe 7 shkurtit

Punëtorët francezë sot do të dalin masivisht në rrugë për të katërtën herë që nga janari, për të protestuar kundër reformës së planifikuar të pensioneve, njoftojnë mediat, transmeton Anadolu.

Punëtorët nga të gjithë sektorët vazhdojnë të shprehin kundërshtime ndaj planit të reformës të shpalosur nga qeveria në janar.

Pothuajse 240 tubime pritet të mbahen në gjithë vendin në raundin e katërt të protestave, pas atyre të 19 janarit, 31 janarit dhe 7 shkurtit, sipas të përditshmes Le Figaro.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin shkroi të premten në Twitter se 10.000 policë do të garantojnë sigurinë gjatë protestave, duke përfshirë 4.500 në Paris.

Planet e reformës, të cilat kanë shkaktuar zemërim publik, përfshijnë rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjet në vitin 2030 dhe kërkojnë të paktën 43 vjet punë për kualifikim për pensione të plota.

Kategoritë
BotaLajme