Franca mposht Gjermaninë në një klasik evropian – polemika për gjykimin

Kombëtarja e Francës ka triumfuar ndaj Gjermanisë me rezultat 2:0 në një ndeshje klasike të futbollit evropian, duke siguruar vendin e tretë në edicionin e sivjetmë të Ligës së Kombeve.

Të dyja kombëtaret ishin eliminuar në gjysmëfinale – Franca nga Spanja dhe Gjermania nga Portugalia – dhe u përballën për vendin e tretë. Edhe pse Gjermania ishte nikoqir i këtij turneu, ajo doli duarbosh pas humbjes së dytë radhazi.

Gjermanët nisën më mirë ndeshjen dhe krijuan disa raste të mira, por portieri francez Mike Maignan u tregua i pakalueshëm. Në minutën e 35-të ndodhi momenti i parë i kontestuar: Karim Adeyemi u rrëzua në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti, por pas konsultimit me VAR, vendimi u anulua dhe Adeyemi u ndëshkua me karton të verdhë për simulim.

Franca kaloi në epërsi në fund të pjesës së parë përmes Kylian Mbappé, i cili shënoi një gol tipik për stilin e tij – depërtim nga e majta dhe goditje me të djathtën në këndin e largët të portës gjermane.

Në pjesën e dytë, polemikat vazhduan. Gjermania barazoi përkohësisht në minutën e 53-të, por pas një tjetër rishikimi nga VAR, goli u anulua për shkak të një faulli ndaj Adrien Rabiot.

Pas këtij momenti, gjermanët humbën intensitetin dhe Michael Olise vulosi rezultatin përfundimtar 2:0 në minutën e 84-të.

Franca kështu përfundon në vendin e tretë në Ligën e Kombeve, ndërsa finalja për titull do të luhet sonte mes Portugalisë dhe Spanjës në orën 21:00.

Kategoritë
Sport