Fotografitë e rrëzojnë deklaratën e Vuçiqit: Vazhdon eksporti i municionit nga Serbia për Izraelin, përkundër embargos?

Një avion transportues izraelit i tipit Boeing 747 është parë sot në aeroportin e Beogradit, i njëjti që sipas burimeve të mëparshme është përdorur për transportimin e municionit që Izraeli blen nga kompani serbe.

Kjo ngjarje ngre dyshime serioze lidhur me vërtetësinë e deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili kohët e fundit kishte deklaruar pezullimin e eksportit të municionit dhe armatimit – përfshirë edhe për Izraelin – pas kritikave të ashpra që erdhën nga Moska, e cila e akuzoi Serbinë për furnizim të ushtrisë ukrainase me municion artilerie.

Vuçiq kishte theksuar: “Tani kemi ndalur gjithçka. Duhet të ketë vendime të posaçme nëse diçka do të lejohet.”

Megjithatë, fakti që i njëjti avion që më parë është përdorur për transport të municionit drejt bazës ajrore izraelite Nevatim u pa sërish në Beograd – shton dyshimet se eksporti në mënyrë operative mund të jetë vazhduar, pavarësisht embargos së shpallur publikisht.

Ndërkohë, autoritetet serbe mbeten në qëndrimin zyrtar se ndalimi i eksportit të armëve dhe pajisjeve ushtarake vlen edhe për Izraelin.

Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, ku Serbia përpiqet të balancojë presionet nga Perëndimi, marrëdhëniet e ngushta me Izraelin, dhe varësinë strategjike nga Rusia. Nëse konfirmohet vazhdimi i eksporteve drejt Izraelit, mund të përbëjë një krizë besueshmërie për Beogradin në skenën ndërkombëtare.

Kategoritë
BotaLajme