Forcës së Sigurisë së Kosovës i shtohen 344 pjesëtarë të rinj

“344 ushtarë të rinj, 344 betime për atdheun – Forca e Sigurisë së Kosovës rritet, e ardhmja jonë forcohet!”, shkroi presidentja Osmani pas ceremonisë.

Kanë diplomuar 344 rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në një ceremoni shtetërore të mbajtur në qytetin e Ferizajt.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe krerë të institucioneve të larta të Kosovës, si presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe të zyrtarë të tjerë.

“344 ushtarë të rinj, 344 betime për atdheun – Forca e Sigurisë së Kosovës rritet, e ardhmja jonë forcohet!”, shkroi presidentja Osmani pas ceremonisë.

Kryeministri Kurti tha se diplomimi i rekrutëve të rinj po ndodhë sipas tij pikërisht në muajin e lavdisë kombëtare, në muajin mars që nis me Epopenë e UÇK-së dhe përmbyllet me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Diplomimi juaj sot në fund të muajit mars, vjen si një kapitull i ri pas lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së Aleancës Veri-Atlantike, vjen si vazhdim i amanetit për mbrojtje të atdheut dhe kontributit për paqe. Uniforma të cilën do ta bartni nga sot, është nder i posaçëm dhe përgjegjësi e madhe. Ajo është dëshmi e gjakut të dëshmorëve, që u flijuan dhe frymëzim për të ndërtuar të ardhmen”, tha kryeministri Kurti.

Ai premtoi se mbështetja e Qeverisë së Kosovës do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katër vjeçare, duke theksuar se përgjatë këtij mandati është dyfishuar numri i ushtarëve, duke rekrutuar 2.315 ushtarë të rinj të cilëve do t’iu shtohen edhe 390 ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë euro, duke blerë dronët luftarakë “Bayraktar”, sistemin raketor anti-tank “Javelin” dhe së shpejti edhe helikopterët “Black Hawk”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi