Shefja e Zyrës Federale për Prokurimin Ushtarak të Gjermanisë, Annette Lehnigk-Emden, deklaroi të shtunën se ushtria gjermane ka afat deri në vitin 2028 për të siguruar pajisjet e nevojshme në rast të një sulmi të mundshëm rus në territorin e NATO-s.
Mbrojtja është kthyer në prioritet politik që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, dhe Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj vendeve anëtare të NATO-s për të përmbushur më shumë obligime ushtarake.
“Gjithçka që nevojitet për një gatishmëri të plotë për mbrojtjen e vendit duhet të sigurohet deri në vitin 2028”, tha Lehnigk-Emden për gazetën Tagesspiegel.
Shefi i ushtrisë gjermane, gjenerali Carsten Breuer, kishte paralajmëruar kohët e fundit se Rusia mund të jetë në gjendje të ndërmarrë një sulm të madh ndaj NATO-s që në vitin 2029, veçanërisht drejt shteteve baltike. Ai theksoi se Rusia po grumbullon municione dhe tanke për një konflikt të mundshëm.
Investime masive dhe fokus te armatimi i rëndë
Lehnigk-Emden tha se qeveria e re e kancelarit Friedrich Merz ka krijuar mundësinë për modernizim duke ndarë qindra miliarda euro për mbrojtje. Prioritetet do të jenë armatimi i rëndë, si tanke kundërajrore Skyranger.
Merz ka shpallur rritjen e kapaciteteve ushtarake si një objektiv madhor, me synim që ushtria gjermane të bëhet forca më e fuqishme konvencionale në Evropë. Kjo politikë rifillon dhe thellon përpjekjet që nisën gjatë qeverisë së Olaf Scholz pas agresionit rus.
Presidenti amerikan Donald Trump këtë vit ka kërkuar që vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet ushtarake në 5% të BPV-së, nga kufiri aktual prej 2%.
Rritje e numrit të ushtarëve
Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius ka njoftuar se do të nevojiten edhe 50.000 deri 60.000 ushtarë të rinj për të përmbushur detyrimet në rritje të NATO-s.
Aktualisht, ushtria gjermane numëron mbi 180.000 pjesëtarë, dhe synon të arrijë mbi 203.000 deri në vitin 2031, sipas agjencisë Reuters.