Fluturimi ‘i tmerrit’/ Turbulencat në avionin e linjës Berlin-Milano lënduan 9 persona

Stuhitë e forta në jug të Gjermanisë detyruan një avion të kompanisë Ryanair të bëjë një ulje emergjente mbrëmjen e së mërkurës, pasi turbulencat plagosën nëntë persona në bord, njoftoi policia gjermane të enjten përmes një deklarate.

Fluturimi, i cili udhëtonte nga Berlini drejt Milanos me 179 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi, u përball me turbulenca aq të forta rreth orës 20:30, sa që piloti u detyrua të bëjë një ulje të pa planifikuar në aeroportin Memmingen, në landin e Bavarisë. Tetë pasagjerë dhe një anëtar ekuipazhi u plagosën.

Tre persona u dërguan në spitalin e Memmingenit për trajtim, ndërsa të tjerët morën trajtim ambulator.

Autoritetet nuk lejuan që avioni të vazhdonte fluturimin dhe kompania organizoi transport me autobus për pasagjerët.

Ndërkohë, stuhitë shkaktuan dëme edhe në rajone të tjera në jug të Gjermanisë. Sipas agjencisë gjermane, në qytetin Ulm, në landin Baden-Ëürttemberg, erërat e forta shkulën çatitë e disa banesave, duke i bërë të pabanueshme, megjithatë nuk pati të lënduar. Zyrtarët e zjarrfikësve dyshojnë se dëmet mund të jenë shkaktuar nga një tornado e vogël ose një rrymë uji, ndërsa Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) është duke hetuar.

DWD paralajmëroi për stuhi të tjera të enjten, me breshër, erëra të forta dhe reshje të dendura lokale të pritshme.

Kategoritë
BotaLajme