Flotilja humanitare e nisur për në Gaza i afrohet brigjeve të enklavës pavarësisht paralajmërimit të Izraelit

“Orët në vijim do të jenë më kritike”, thonë organizatorët.

Anija humanitare “Madleen” ka hyrë në ujërat egjiptiane në rrugën e saj për në Gaza, pavarësisht qëllimit të deklaruar të Izraelit për ta penguar atë të ankorohet, njoftoi sot Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës.

Komiteti, një nga organizatorët e flotiljes humanitare, tha në një deklaratë se anija ka kaluar nëpër Aleksandri, në Egjiptin verior, dhe “brenda pak orësh do të arrijë në qytetin Mansoura… në rrugën për në Gaza””.

“Orët në vijim do të jenë më kritike”, thuhej në deklaratë.

Anija ka gjithashtu 12 aktivistë në bord, përfshirë aktivisten suedeze të klimës Greta Thunberg dhe aktorin irlandez Liam Cunningham.

Rima Hassan, një anëtare franceze e Parlamentit Evropian e cila është gjithashtu në bordin e anijes, postoi një përditësim me foto të drejtpërdrejta në llogarinë e saj X.

Javën e kaluar, transmetuesi shtetëror izraelit KAN raportoi se Tel Avivi ka ndryshuar vendimin e tij fillestar për të lejuar kalimin e anijes. Miratimi u tërhoq nën pretekstin e “vendosjes së një precedenti” për misionet e ardhshme të ndihmës humanitare.

Sipas organizatorëve, anija po transporton furnizime urgjente për popullin e Gazës, duke përfshirë formulë për foshnja, miell, oriz, pelena, produkte sanitare për gratë, komplete për shkripëzimin e ujit, furnizime mjekësore, paterica dhe proteza për fëmijë.

Një tjetër anije e operuar nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, “Ndërgjegjja”, u shënjestrua nga dronë në brigjet e Maltës më 2 maj.

Kategoritë
BotaLajme