Flamuri i Kroacisë nën produktin me origjinë nga Kosova. Ai i Kosovës nën produktin me origjinë nga Serbia. Shumë flamuj me ngjyra bardh e zi. Vende-vende nuk ka fare.
Kështu duken raftet e disa dyqaneve ushqimore në Kosovë, edhe pse me rregulla, produktet duhet ta kenë vendosur pranë flamurin e vendit prej nga vijnë.
Udhëzimi administrativ, i cili e rregullon këtë çështje, ka hyrë në fuqi në vitin 2019.
Këtë e konfirmon edhe Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, i cili ka shqiptuar disa gjoba për këto shkelje.
Dhjetëra gjoba
Në bazë të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, Hajra thotë se bizneset që nuk e respektojnë udhëzimin administrativ në fjalë, përfshirë mosvendosjen e saktë të flamurit të origjinës së produktit, gjobiten me nga 400 deri në 20.000 euro.
Hajra supozon se numri real i shkeljeve është shumë më i lartë, por se numri i inspektorëve që do t’i verifikonin ato, është shumë i vogël në raport me mijëra bizneset.
Gabimisht…
Përfaqësues të bizneseve thonë se udhëzimi administrativ për këtë çështje, është vështirë të zbatohet, por theksojnë se është i rëndësishëm.
“Ky vendim është ngarkesë shtesë për bizneset e Kosovës. Dyqanet e mëdha kanë numër të madh të stafit që mund të kujdeset për vendosjen e flamujve, por kanë edhe qarkullim të madh të produkteve dhe nganjëherë mallrat zhvendosen nga rafti në raft… Mund të ketë edhe gabime që ndodhin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zana Beqiri nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë.
Udhëzimi administrativ për origjinën e produkteve ka hyrë në fuqi para më shumë se katër vjetësh – përkatësisht pak kohë pasi Kosova u ka vënë taksë 100% produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë atëkohë se ky udhëzim administrativ do t’i ndihmojë qytetarët t’i identifikojnë produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe do të ndikojë në promovimin e produkteve vendore.
Disa qytetarë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se kanë hasur në produkte që nuk përkojnë me flamurin e origjinës që u është vendosur pranë.
“I shikoj flamujt dhe pazari im ndikohet nga flamujt. Preferoj të blej prodhim vendor ose prodhim kualitativ, dhe jo të Serbisë. Por, ndodh shpesh që flamujt i vendosin gabim”, thotë Yll Rakovica.
Nga viti 2018 deri në prill të këtij viti, Serbia ka eksportuar produkte në Kosovë në vlerë prej mbi 1.3 miliard eurosh.
Kosova importon shumicën e mallrave nga vendet fqinje, por edhe ato të BE-së, pasi industria e prodhimit nuk është shumë e zhvilluar.
Marrëveshja e Organizatës Botërore të Tregtisë, ku Kosova synon të anëtarësohet, kërkon nga anëtarët e OBT-së që t’i zbatojnë rregullat e tyre të origjinës së produkteve në mënyrë të paanshme, transparente dhe të qëndrueshme. Marrëveshja kërkon gjithashtu që rregullat e origjinës të mos e kufizojnë, shtrembërojnë ose prishin tregtinë ndërkombëtare./REL/















