

Kategoritë
Sport

Duke ndjekur modelin amerikan, FIFA vendosi që në finalen e Kupës së Botës të organizojë një “half-time show” (spektakël muzikor gjatë pushimit). Fillimisht ishte paralajmëruar se programi do të zgjaste 25 minuta, ndërsa më pas FIFA deklaroi se ai do të shkurtohej në 17 minuta.
Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Gjatë pushimit u zhvilluan disa performanca muzikore, ndërsa ndërprerja totale mes dy pjesëve zgjati 27 minuta e 22 sekonda.
Kjo bie ndesh me rregullat e futbollit, pasi FIFA vendosi me vetëdije t’i anashkalojë ato për të realizuar programin artistik. Gjatë kësaj kohe, futbollistët pritën me padurim në tunelin e stadiumit.
Për vendosjen dhe largimin e skenës, si dhe për përgatitjen e fushës për rifillimin e ndeshjes, u deshën rreth katër minuta.
Shumica e tifozëve në mbarë botën e kritikuan këtë qasje të FIFA-s, duke e cilësuar si një “amerikanizim të futbollit”. Ata shprehën shqetësimin se një pushim kaq i gjatë, i pazakontë për lojtarët, mund të ndikojë negativisht në ritmin dhe cilësinë e lojës, pasi futbollistët humbin ngrohtësinë fizike para rifillimit të ndeshjes.