Një ngjarje tragjike ndodhi gjatë festimeve për fitoren e kombëtares së Spanjës në futboll, kur u shemb një pjesë e një shatërvani të njohur, mbi të cilin ndodheshin disa tifozë.
Një djalë 13-vjeçar humbi jetën natën ndërmjet së dielës dhe së hënës në qytetin Ciudad Rodrigo të Spanjës, pasi u shemb një pjesë e shatërvanit ku ai, së bashku me një grup qytetarësh, po festonte fitoren e kombëtares spanjolle.
Në këtë aksident u plagosën edhe dy persona të tjerë.
Tragjedia ndodhi te shatërvani i njohur me emrin “Árbol Gordo”, i cili zakonisht shërben si vend grumbullimi dhe festimi në këtë qytet.
Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, djali ndodhej brenda shatërvanit në momentin kur u shemb platforma e sipërme. Në atë çast, mbi konstruksion ndodheshin disa persona që valëvitnin flamuj dhe festonin.
Shtylla prej guri që mbante pjesën e sipërme të shatërvanit nuk e përballoi ngarkesën, ndërsa copat e rënda të gurit ranë drejtpërdrejt mbi djalin.
Policët që ndodheshin në vendin e ngjarjes ndërhynë menjëherë dhe ngritën gurët për ta nxjerrë fëmijën. Ai u dërgua me urgjencë dhe me lëndime të rënda në qendrën lokale shëndetësore, ku më pas ndërroi jetë.
Këshilli i Qytetit të Ciudad Rodrigos i shprehu ngushëllime familjes dhe shpalli tri ditë zie.
“Ajo që duhej të ishte një festë për fitoren e kombëtares spanjolle në futboll, u shndërrua në tragjedi për të gjithë shoqërinë e Ciudad Rodrigos. I gjithë qyteti e ndien këtë humbje dhe qëndron pranë familjes dhe miqve të djalit të ndjerë”, thuhet në komunikatën zyrtare të Këshillit të Qytetit, ku të plagosurve u urohet shërim i shpejtë.









