Klubi i Fenerbahçes organizoi një ceremoni lamtumire për Dusan Tadic dhe Edin Dzeko, me të cilët i ndau rrugët pas përfundimit të kontratave.
Presidenti i klubit, Ali Koç, u dorëzoi atyre një pllakë falënderimi në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të klubit, në ceremoninë e lamtumirës morën pjesë, përveç presidentit Ali Koç, edhe anëtari i bordit Acun Ilıcalı, drejtori sportiv Mario Branco, trajneri Jose Mourinho dhe futbollistët e ekipit.
“FALËNDERIME NË EMËR TË TË GJITHË KOMUNITETIT TË FENERBAHÇES”
Pas fjalëve falënderuese të Ali Koç-it dhe Acun Ilıcalı-t, futbollistët verdheblu i përcollën me duartrokitje dy kapitenët.
Ali Koç, në fjalën e tij, theksoi se të dy lojtarët do të jenë gjithmonë shembull për brezat e rinj:“Për çdo lojtar, pavarësisht moshës, ju do të jeni gjithmonë një model. Kur ju shikoj, shoh futbollistë të rinj, 19-20 vjeç, që sapo kanë nisur karrierën, të uritur dhe që japin gjithçka. Ju jap lamtumirën, por në Stamboll do të keni gjithmonë një familje. Kudo që të shkoni, ju uroj fat dhe suksese. Faleminderit në emrin tim dhe të gjithë komunitetit të Fenerbahçes për gjithçka që keni bërë.”
“JU FALEMINDERIT”
Acun Ilıcalı u shpreh:“Kur ju shikoj, shoh dy karaktere të fortë, zemra të pastra dhe sportistë të mëdhenj. Jam krenar dhe i lumtur që kam kaluar kohë dhe kam punuar me ju. Ju falënderoj.”
“NUK KAM NJOHUR KURRË PROFESIONISTË MË TË MIRË”
Trajneri Jose Mourinho, i cili i konsideroi të dy lojtarët profesionistë të shkëlqyer, deklaroi:“Kjo është viti i 25-të i karrierës sime. Nëse i shumëzoni 25 vite me 25-30 lojtarë për sezon, arrijmë në një numër të madh. Kam njohur shumë profesionistë, por më të mirë se ju nuk kam njohur kurrë. Besoj se ky është komplimenti më i mirë që mund të jap. Faleminderit.”
FJALËT E LAMTUMIRËS SË DZEKO DHE TADIC
Dzeko u shpreh:“Gjithmonë kam dhënë gjithçka për ju dhe për klubin. Edhe në të ardhmen ju dëshiroj më të mirën. Klubi dhe veçanërisht tifozët e meritojnë lumturinë. Faleminderit për gjithçka.”
Tadic tha:“Ishin dy vite të bukura për mua. Po largohem me një zemër të pastër, dhe kjo është më e rëndësishmja. Jam shumë i lumtur dhe krenar që ju kam njohur dhe kam luajtur me ju. Ndoshta do të shihemi sërish në të ardhmen.”