Faqja e parë e gazetës më të njohur britanike sulmon ashpër Trumpin: “Ndalo vizitën e ‘bulli’-t!”

Një nga gazetat më me ndikim në Britaninë e Madhe, Mail on Sunday, edicioni i fundjavës i Daily Mail, ka bërë thirrje për anulimin e vizitës shtetërore të Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo vjen si reagim ndaj përplasjes së ashpër mes presidentit amerikan dhe liderit ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale.

Faqja e parë e kësaj gazete konservatore britanike përçon një mesazh të fuqishëm: “Ndalo vizitën shtetërore të ‘bulli’-t Trump!”, duke reflektuar zemërimin e politikanëve dhe udhëheqësve ushtarakë britanikë për qëndrimin agresiv të Trump ndaj Zelenskyt.

Sipas Mail on Sunday, “tirada e pabesueshme” e Trump ndaj presidentit ukrainas ka shkaktuar valë kritikash në Britani, veçanërisht në lidhje me vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Gazeta thekson gjithashtu se kryeministri britanik Keir Starmer e priti me ngrohtësi Zelenskyn në Downing Street, duke dhënë një mesazh të qartë se lideri ukrainas duhet të trajtohet me respekt. Ky takim ndodh në një kohë kur udhëheqësit politikë dhe ushtarakë britanikë po bëjnë thirrje për vazhdimin e mbështetjes për Kievin, pavarësisht tensioneve në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pritet që qeveria britanike të jetë tani nën presion për të rishikuar vizitën shtetërore të Trump, pasi një administratë e re e tij mund të sjellë një ndryshim drastik në politikën perëndimore ndaj Ukrainës.

Kategoritë
BotaLajme