Escobar shkon për vizitë te Manastiri i Deçanit

Vetëm një ditë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka shkuar atje për vizitë.

Vetura zyrtare të Ambasadës së Amerikës shihen në oborrin e manastirit.

Kjo vizitë e Escobar vjen vetëm pak orë para së ai të takohet me kryeministrin Kurti.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është bërë e ditur se takimi do të zhvillohet në orën 15:30.

“1.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.

Dje emisari Escobar takoi të parën presidenten Vjosa Osmani në vizitën zyrtare të nisur në Kosovë.

Në orën 10:00 ai arriti në Presidencë ku zhvilloi takimin me Osmanin, me të cilën më vonë doli në konferencë për media.

Ndërsa nga ora 19:00 ka takuar krerët opozitarë në një takim të përbashkët.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi