Elon Musk trazon ujërat: Mbështet idenë që Amerika të largohet nga NATO dhe OKB

Miliarderi amerikan dhe bashkëpunëtori i afërt i presidentit Donald Trump, Elon Musk, ka komentuar në rrjetin social X mbi temën e daljes së Shteteve të Bashkuara nga NATO dhe Kombet e Bashkuara (OKB).

Në mesin e shumë komenteve që Musk poston çdo ditë në këtë platformë, ai iu përgjigj një komenti nga përdoruesi Gunther Eagleman, i cili shkroi se është koha që SHBA të largohet nga NATO dhe OKB.

Musk u përgjigj shkurtimisht, duke thënë se është dakord me këtë ide.

Ideja e largimit të SHBA-së nga organizatat ndërkombëtare si NATO dhe OKB nuk është e re. Si në mandatin e parë ashtu edhe në këtë të dytë, Donald Trump ka vënë vazhdimisht në dyshim rolin e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht për pjesëmarrjen e saj në NATO.

Trump ka theksuar disa herë se aleatët evropianë nuk po kontribuojnë mjaftueshëm për mbrojtjen dhe se ata duhet të rrisin shpenzimet në këtë aspekt.

Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara (OKB) janë gjithashtu në shënjestër të administratës së re amerikane. Deri më tani, Trump ka urdhëruar tërheqjen e SHBA-së nga disa organizata, përfshirë Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC).

Kategoritë
BotaLajme